Pas Krimesë, radha e Moldavisë?

18/03/2014 00:00

Efekti domino, marrë shkas nga rasti i Krimesë, ajo që i druheshin analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, duket se po ndodh.

Në ditën kur në Moskë liderët lokalë të Krimesë dhe presidenti Putin firmosën marrëveshjen që e bën gadishullin e Detit të Zi pjesë të Federatës Ruse, nga Moldavia mbërrin kërkesa e rajonit Trans-Dniester, që nën shembullin e Krimesë, kërkon t’i bashkohet Rusisë.

Rajoni lindor i Moldavisë, në kufi me Ukrainën dhe jo shumë larg Krimesë, banohët në shumicë ruse. Aktualisht territori, edhe pse ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Moldavisë, gëzon një vetëqeverisje. Në vitet 1991-1992, pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik rajoni u shkëput nga Moldavia.

Presidenti moldav, Nicolae Timofti deklaroi të martën se cdo vendim i Moskës për të pranuar rajonin Trans-Dniester do të ishte një lëvizje në drejtimin e gabuar.

Në 2006, në një referendum të panjohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe Moldavia, rajoni ripërsëriti kërkesën për pavarësi.

Zëdhënësja e parlamentit lokal, Irina Kubanskikh deklaroi për agjencinë e lajmeve Itar-Tass se ligjvënësit vendorë kishin adresuar një kërkesë në Moskë për ‘të shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të legjislacionit që përfshin Krimenë nën Federatën Ruse’.

Gazeta Vedomosti shkruan situata mund të përshkallëzohet edhe në këtë pjesë të Moldavisë, nëse kjo e fundit vendos të firmosë një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkimin Europian, ashtu sic kanë ndërmend udhëheqësit moldavë.

Top Channel