Maldini: Kanë shkatërruar Milanin tim

18/03/2014 00:00

Paolo Maldini, i cili ka luajtur me Milanin plot 25 vite, ka folur gjerë e gjatë në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ duke analizuar situatën në të cilën ndodhet ekipi i tij i zemrës.

Ish-kapiteni i kuqezinjve mendon se mungesa e investimeve dhe e ideve kanë bërë që Milani të “dergjet” në mesin e renditjes së Serisë A dhe të mos jetë më një ekip me peshë në Europë.

“I kam parë pothuajse të gjitha ndeshjet e dy sezoneve të fundit. Jam i zhgënjyer dhe i inatosur pasi më duket sikur puna jonë e madhe e 10 viteve të fundit ka shkuar dëm. Pas fitoreve tona ka pasur një punë të jashtëzakonshme dhe kur shoh që gjithçka është shkatërruar, çmendem fare” theksoi Maldini.

Ish-mbrojtësi i majtë renditi edhe arsyet e kësaj gjendjeje: “U larguan lojtarët me mentalitet fituesi. Shikoni Realin dhe Bajernin. Skuadrën e drejtojnë ish-lojtarë, ndërsa tek Milani është vetëm Filippo Galli dhe Mauro Tassoti të punësuar. Gjithashtu mungon projekti. Milani nuk mund të rivalizojë Juven dhe nuk është mes ekipeve më të mira europiane. Duhen ndryshuar objektivat në momentin që nuk ka më investime por vetëm lojtarë me parametra zero. Galliani ndihet i plotfuqishëm dhe kjo nuk është gjë e mirë.”

Maldini duket se nuk ka besim as tek Barbara Berlusconi: “Nuk mendoj se është eksperte futbolli dhe futbollistësh, por suksesi i saj do të varet nga njerëzit që e rrethojnë.”

Në fund, një mendim për Seedorfin: “Nuk ka eksperiencë, por ka kurajo dhe personalitet. Me këtë Milan as Guardiola nuk do të bënte dot gjë. Mendoj se do ishte më mirë të niste aventurën duke filluar nga sezoni i ardhshëm.”

Top Channel