Midis festimeve shumëngjyrëshe të Ditës së Verës, një prej evenimenteve që tërhoqi vëmendjen e publikut ishte ekspozita “Takim Botësh”, ku u ekspozuan fotografi dhe materiale të rralla nga mbretërimi i shkurtër i atij që ishte monarku i parë shqiptar, Princ Vidit.
Për të folur për këtë figurë emblematike, por pak të njohur të historisë sonë, e për këto 100 vite që kanë kaluar, në emisionin e saj të përjavshëm “Shqip”, Rudina Xhunga ftoi një panel historianësh, politikanësh e ekspertësh, si Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Artan Lame dhe Romeo Gurakuqi.
I pari që mori fjalën, për të shpjeguar këtë hapje të pazakontë të Kryeministrisë për të pritur këtë ekspozitë, ishte edhe ideatori dhe organizatori i saj, publicisti e historiani Artan Lame.
“Në të vërtetë, meritat nuk më takojnë vetëm mua, por po e ngjis disa shkallë më lart, tek kryeministri Rama, që ishte edhe ideatori i mbajtjes së ekspozitës në Kryeministri. Kryeministri prej kohësh dëshironte që të realizonte një aktivitet të tillë, të hapte dyert e këtij institucioni ndaj popullit dhe për këtë i duhej një aktivitet si ky, që shpresoj nuk do të jetë i fundit”, tha Lame.
Duke komentuar këtë zgjedhje, Kryeministrinë si vendin e ilustrimit të punimeve të tij, zoti Milo vlerësoi: “Se kjo është një nismë për t’u përgëzuar, pasi kjo godinë mbart kaq shumë histori në vetvete. Nga kjo godinë, duke e përdorur në një mënyrë të arsyeshme, mund të jepen mesazhe me të vërtetë të shkëlqyera”.
Duke komentuar mbretërinë jetëshkurtër të Vidit, Xhufi konsideroi atë periudhë 6-mujore duke thënë: “Është një periudhë shumë e rëndësishme dhe dramatike në historinë shqiptare. Viti 1914 pritej të ballafaqohet me ngjarje të mëdha. Problemi ishte që qeveria e Princ Vidit, e para shqiptare e njohur ndërkombëtarisht u ndesh me problem shumë të mprehta, me detyra të mëdha që vështirë t’i realizonte, por duhet bërë një ndarje çfarë përfaqësonte Vidi dhe njerëzit që e rrethonin. Në kontradiktat e këtij mjedisi aq të ndryshëm është edhe një nga arsyet e dështimit të qeverisë së tij. Qeveria e Vidit u ndesh që në fillim, me problemin e lëvizjes vorioepirote, kjo qe diçka e papritur dhe ai si një juncker gjerman e mori punën me seriozitetin më të madh, por natyrisht që ai s’kishte ku të mbështetej dhe u detyrua të mbështetej në strukturat e gatshme që pak a shumë ishin ato që i përkisnin regjimit të vjetër. Këtu bëhej fjalë për të bërë luftë e kush i kishte këto struktura u afruan nga VIdi, por rezultoi se ata nuk e përballonin dot detyrën, ca e tradhëtuan, ca nuk i conin forca siç i ndodhi Qemalit dy vjet më parë”.
“U bë tentativë për të çuar xhandarmërinë shqiptare për ato toka që u liruan nga grekët dhe qenë natyrisht një hap i mirë. Një gjurmë që ka lënë ka qenë Protokolli i Korfuzit, që nuk është dicka pozitive, por është i vetmi dokument i nënshkruar, por atë e hodhën poshtë të gjithë, vetë ndërkombëtar e vetë grekët që menduan se Shqipërinë e jugut thjesht mund ta aneksonin pa faza të ndërmjetme. Ajo që në fund të fundit, nëse bëhet një analizë çfarë la; ishte një periudhë që zëre se nuk ishte, mos harroni nisi Lufta e Parë Botërore dhe ato fuqi që e krijuan, ato u kacafytën me njëra-tjetrën. Madje ka një notë negative, duke qenë se Vidi si gjerman përfaqësonte një forcë që u mund në Luftë dhe do të mund ta rëndonte pozitën tonë. Në 1919 u krijua pa problem një qeveri shpejt e shpejt që përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Versajë dhe qeveria e Vidit u harrua nga fazat e tjera të historisë së Shqipërisë. Në këtë aspekt them që s’la ndonjë gjurmë”, komentoi Xhufi.
Me një perspektivë tjetër, e gjykon këtë çështje zoti Gurakuqi. “Nuk e konsideroj si periudhë të shkëptur nga 28 Nëntori në në 3 Shtator 1914. Është pjesë e lindjes së Shqipërisë së pavarur. Kemi rastin e Kosovës, kur më parë lindi lëvzja e brendshme e Rugovës dhe Kosova e njohur ndërkombëtarisht. Ndonëse konteksti është i ndryshëm, kjo është arsyeja përse Vidi dhe klasa që e mbështesi, përfshi shumë intelektualë dhe rrethet më përparimtare, unë do e konsideroja si një pjesë e caktuar e ngritjes së Shqipërisë. Në qoftë e studiojmë teknikisht, kemi shpalljen e pavarisisë, kemi qeverinë e Durrësit, të Shkodrës dhe qeveria e Vidit në 7 Mars 1914, është momenti kur fuqitë ndërkombëtare, atë akt të brendshëm që kryen i bënë një njohje. Ardhja në 7 Mars është pjesë e një kompromisi të madh mes KNK (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit) e qeverive lokale, si ajo e Vlorës e Qemalit dhe Durrësit e Toptani. Ajo që ndodhi është zbritje drejt themelimit të shtetit e zbatimit të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër për pavarësinë. Vidi është mbështetur nga forcat më përparimtare të kohës, nga Toskëria, Malësia dhe Shkodra”.
Sipas zotit Milo, ndërsa është e qartë që qeveria e Vidit dështoi, mbetet e vështirë për të dhënë një mendim për vetë Princin. “Duhen ndarë rrethanat dhe Vidi, dështoi më shumë jo si individ, se sa prej rrethanave që diktuan dështimin e qeverisjes së tij. Jemi në prag të Luftës së Parë Botërore, ka rivalitet të tmerrshëm italo-austrohungarez që nuk e lë, nuk ka mbështetje financiare sic u premtua dhe vjen lufta që përmbysi gjithçka, duhet të vendosim qeverisjen në kohë. Nëse bëjmë një bilanc nuk mund të themi që ka një bilanc pozitiv. Isha duke kërkuar çfarë të gjej pozitive dhe a do të mund të thoja, a bëri ndonjë reformë ekonomike, a ndërtoi ndonjë institucion veç zyrës së vet, në arriti të zgjidhë problemin e madh social në Shqipëri me rebelët, në arriti të bëjë një marrëveshje me fqinjët në kuadrin e Protokollit të Korfuzit, në arriti të mbështesë lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës në atë moment delikat? Jo. Bilanci është një dështim i eksperimentit, por jo se fajtor kryesor ishte Princ Vidi”, tha Milo.
Historiani Romeo Gurakuqi u ndal tek qeverisja pas rrëzimit të Esat Pashë Toptanit. “Pas rënies së Esat Pashë Toptanit, kanë qenë forcat liberale që morën në kontroll qeverinë dhe e gjithë qeverisja, e gjithë principata ka mbetur në një tentativë qeverisjeje. Në maj 1914 kanë qenë të gjithë, thuajse të gjithë në mbështetje të Princ vidit, përfshirë këtu edhe vetë Ismail Qemalin”.
Si qeverisi Princ Vidi? Për Artan Lamen pesha dhe përgjegjësia e monarkut të parë të shqiptarëve në qeverisjen e vendit në ato muaj të vështirë dhe të vrullshëm historikë ishte e pakët. Lame argumentoi se qeverisja bëhej nga institucionet dhe jo nga monarku, që ishte vetëm unifikues.
Por historiani Paskal Milo kundërshtoi. “Kishim kryeministër një person të paaftë në ato vite, një person që synonte të rrëzonte Princ Vidin dhe të shpallej vetë Princ, Esat Pashë Toptanin, i vendosur në këtë detyrë nga vetë Vidi. Pikërisht këtu nis përgjegjësia e Vidit”, tha Milo.
Historianët janë të ndarë mbi përgjegjësinë dhe peshën e fajit të Vidit në Marrëveshjen e Korfuzit. “Marrëveshja e Korfuzit dëmtonte Shqipërinë, por kjo nuk ka ardhur për faj të Vidit, sepse firmosja e asaj marrëveshjeje ishte e detyruar nga Grupi Ndërkombëtar i Kontrollit dhe Princ Vidi nuk ka përgjegjësi për këtë”, tha historiani Romeo Gurakuqi.
Por Milo kundërshtoi sërish. “Nëse nuk e ka përgjegjësinë kryetari i shtetit, që zgjodhi të merrte përsipër qeverisjen e principatës pa e detyruar njeri, atëherë kush e ka fajin?”, tha Milo.
Pjesa e tretë e “Shqip” nisi me Kolonelin Tomson, një figurë që mori pjesë në Marrëveshjen e Korfuzit, një ushtarak holandez që dha jetën për ngritjen e shtetit shqiptar.
Paska Milo: Është një figurë që kam një simpati për të. Erdhi vullnetar për të kontribuar për ndërtimin e shtetit shqiptar. Erdhi që në vitin 1913 për të ndërtuar xhandarmërinë shqiptare. Ndoshta gaboi në Marrëveshjen e Korfuzit, por gaboi se nuk ishte politikan, ishte një ushtarak. Tomsoni luftoi dhe u vra në vijën e parë të frontit, për mbrojtjen e principatës. Ai ra për këtë vend, që të ndërtohet shteti dhe institucionet e shtetit shqiptar. Ra në tokën shqiptare për të na ndërtuar ne në tokën shqiptare”.
Edhe Artan Lame vlerësoi rolin e Kolonelit: “Tomsoni është pjesë e atij momenti, pjesë e një misioni holandez dhe të huaj për ndërtimin e shtetit shqiptar. Tomsoni u vra për Shqipërinë, nga shqiptarët, kjo është e rëndë. Në atë periudhë mendoj se Shqipërisë i mungoi 1-2 vite qetësie, para furtunës që po vinte, që njerëzit të kuptonin kush ishin, të kuptohej identiteti kombëtar”.
Në fund të emisionit, Pëllumb Xhufi u ndal tek kujtimet e Ismail Qemalit mbi përcarjen e madhe të shqiptarëve, ndërsa Milo tha se Ismail Qemali mbështeste idenë e një monarku të huaj me shpresën se ai do të bashkonte gjithë shqiptarët.
Top Channel