Superiore, humbja e parë e Tiranës në 2014

16/03/2014 00:00

Tirana pëson humbjen e parë të 2014-s dhe këtë herë në shtëpinë e saj, në “Qemal Stafa”, përballë Kukësit.

Ka qenë Sokol Çikalleshi, ish-lojtari bardheblu, që shënon dy golat për skuadrën kuksiane, i ndihmuar edhe nga gabimet e portierit Ilion Lika.

Pavarësisht barazimit të përkohshëm të Tiranës, me Takun, gjërat nuk shkojnë mirë, sepse portieri Lika nuk është në lartësinë e duhur dhe nuk arrin të shpëtojë nga humbja skuadrën e tij.

Ndërkohë që, për Kukësin ky është një sukses shumë i rëndësishëm për synimin e tyre, që është vendi i dytë, të cilin e ka vetëm 2 pikë larg.

Një tjetër ndeshje e rëndësishme ka qenë ajo në Vlorë, mes Flamurtarit dhe Teutës, e cila është mbyllur në barazim 0-0. Një pikë që pak i ndihmon të dyja skuadrat.

Ndërkohë, në Shkodër, Partizani ia del të marrë tri pikë të tjera, këtë herë i ndihmuar nga shkodranët. Portieri Selimaj, në një ndërhyrje të tij pret topin dhe godet kundërshtarin në mënyrë të pakuptimtë, duke dalë vetë me kartonin e kuq, duke lënë Vllazninë me 10 lojtarë, si dhe duke i dhënë një 11-metërsh Partizanit, të cilin e shndërron në gol Nexhipi.

Në pjesën e dytë, Bushiç sakrifikon për shkodranët, duke luajtur me gjurin e dëmtuar. Krijon disa raste, por porta e Alban Hoxhës mbetet e paprekur. Ndeshja tjetër e së dielës, ajo mes Besës dhe Kastriotit, mbyllet në barazim 1-1.

Top Channel