Lumë fyerjesh ndaj Hamilton

14/03/2014 16:35

Fansa të Formulës 1 po përmbysin me një lumë ofendimesh pilotin e Mercedes, Lewis Hamilton, i cili në lidhje me Schumaker deklaroi se “asgjë në jetë nuk ndodh pa shkak”.

Një vlerësim i tillë bëri që llogaritë e “Twitter” dhe rrjeteve të tjera shoqërore të pasuroheshin me fyerje të larmishme për Hamilton, i cili brenda pak orëve grumbulloi me dhjetëra sharje vetëm si “idiot”.

Siç raportoi “Daily Mail”, kjo deklaratë e Hamilton u bë në një intervistë të shfaqur të premten, në ditën e testimeve të lira të Formulës 1, e cila debuton zyrtarisht këtë të dielë në pistën e Australisë.

Prej tre muajsh, Schumaker ndodhet në gjendje kome, pas një aksidenti të pësuar me ski në alpet franceze në muajin Dhjetor.

Hamilton, kampion bote në vitin 2008, ka gëzuar një marëdhënie të mirë me pilotin gjerman, gjatë kohës së tyre të përbashkët në Formulën 1.

Ashtu siç është bërë traditë prej shumë vitesh, Botërori i garës automobilistike më të ndjekur në botë do të transmetohet drejtëpërsëdrejti, vetëm në ekranin e “Top-Channel”.

Top Channel