Hoeness nuk apelon, do të hyjë në burg

14/03/2014 00:00

Uli Hoeness ka vendosur të mos apelojë vendimin për dënimin e tij me 3 vite e gjysmë burg dhe në këtë mënyrë do të përfundojë në burg.

Rrjedhimisht, Hoeness do të lërë postin e tij si president i Bayern Munchen.

Pritet që Hoeness të nisë dënimin e tij brenda dy javësh në burgun e Landsberg am Lech, aty ku ka vuajtur dënimin edhe Hitleri pas grushtit të shtetit të vitit 1923.

Gjykata e Mynihut në Gjermani e dënoi me 3 vjet e 6 muaj burg presidentin e Bayern, Uli Hoeness, i akuzuar për evazion fiskal. Ditën e mërkurë avokatët mbrojtës të padronit të klubit Bavarez pranuan evazionin e kryer prej tij që arrin shifrën e 27 milionë eurove.

Hoeness, që u vetëdenoncua, shpresonte në mundësinë e shmangies së sanksioneve penale, në linjë me kuadrin normativ gjerman.

Por në rastin e tij, akuza nuk e konsideroi të vlefshëm vetëdenoncimin, duke pretenduar se ishte bërë pas interesit në rritje të medias.

Ish-kampioni i botës, aktualisht 62 vjeç, i kishte mbajtur kapitalet e tij në një llogari sekrete bankare në Zvicër. Mbrojtja dhe akuza tani kanë një javë kohë për të apeluar vendimin.

Top Channel