Guardiola: Të fitojmë edhe për Hoeness

14/03/2014 19:35

Në ditën në të cilën presidenti i Bajernit, Uli Hoeness, paraqiti dorëheqjet dhe refuzoi mundësinë e apelimit ndaj dënimit të tij me tre vjet e gjysmë heqje lirie për evazion fiskal, Pep Guardiola theksoi se klubi duhet të ecë në gjurmët që i ka mësuar Hoeness.

“Nuk është e lehtë për mua. Mbërrita në Mynih nëntë muaj më parë, por do të më pëlqente të flisja më mirë gjermanisht, për të shprehur më mirë ndienjat e mia. Në këtë kohë e kam kuptuar se sa i rëndësishëm është Uli për këtë klub dhe nëse sot Bajerni është një prej klubeve më të mëdha të botës, shumë meritë ka edhe ai. Hoeness drejton Bajernin prej 14 vitesh dhe shumë njerëz këtu nuk rreshtin së më thëni sa i rëndësishëm ka qenë ai. Do të rikthehet në të ardhmen përsëri, jam i sigurt për këtë dhe ai do të jetë gjithmonë miku im. Duhet të vazhdojmë të punojmë edhe për të, të ecim në rrugën që ai krijoi”, deklaroi Guardiola.

Hoeness u shpall fajtor për evazion fiskal dhe me një gjest të vërtetë kurajoz, ai pranoi vendimin e shkallës së parë, duke hequr dorë nga mundësia për të apeluar dënimin.

Presidenti i Bajernit do të nisë burgun në fund të muajit Mars.

Ndërkohë, Guardiola foli edhe për ndeshjen e ardhshme, ndaj skuadrës së vendit të tretë në renditje, Bajer Leverkusenit.

“Duhet të përqendrohemi në këtë ndeshje, kjo është puna jonë dhe jam i sigurt që edhe Hoeness do të dëshironte kështu. Na nevojiten edhe tre fitore për të fituar titullin. Kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë. E di që është futbollist e duan dhe e di që ai do të donte të ndiqte në çdo ndeshje Bajernin. Hoeness është një njeri i mirë dhe ka bërë shumë për këtë klub. Duhet të fitojmë edhe për të”, përmbylli Guardiola.

Top Channel