
“Rusia do të respektojë vendimin e popullit të Krimesë”. Kjo ka qenë deklarata e Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, dy ditë para referendumit mbi të ardhmen e Republikës Autonome.
Deklarata e kryediplomatit rus u bë në përfundim të takimit të Londrës me Sekretarin e Shtetit, John Kerry. Ai i cilësoi këto bisedime si “konstruktive”, por nënvizoi se Moska dhe Uashingtoni nuk ndajnë të njëjtin qëndrim dhe vizion mbi krizën në Ukrainë.
Të dielën në Krime votuesit do të përcaktojnë për të lënë Ukrainën dhe të bëhen pjesë e Rusisë, apo të vazhdojnë të qëndrojnë nën administrimin e Kievit.
Qëndrimet e kundërta u konfirmuan edhe nga Sekretari i Shtetit, John Kerry. Pak minuta pas Lavrov, kryediplomati amerikan doli para mediave ku ritheksoi qëndrimin e Uashingtonit për paligjshmërinë e referendumit në Krime.
“Referendumi bie ndesh me ligjet ndërkombëtare dhe me kushtetutën e Ukrainës. Ne e kuptojmë dhe respektojmë të drejtën e Rusisë dhe të Presidentit Putin për mbrojtjen e interesave të Rusisë dhe të banorëve të Krimesë, por presidenti Putin duhet të dijë se me qëndrimin tonë ne nuk synojmë të sfidojmë interesat dhe të drejtat e Rusisë për të mbrojtur banorët e asaj krahine, sepse kjo gjë mund të bëhet fare mirë pa ndryshim kufijsh, pa qenë nevoja për të aneksuar rajonin”, tha Kerry.
Sekretari i Shtetit tha se në tryezë ishin parashtruar disa opsione, mes të cilave ishte edhe ajo e zgjerimit të autonomisë brenda Ukrainës për krahinën me maxhorancë ruse. “Ka disa zgjidhje të tjera, dhe ato janë në tryezë për t’u shqyrtuar”, deklaroi Kerry.
***
“Rusia nuk do luftë, as rusët”. Këtë ka thënë ambasadori i Rusisë në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, Vitaly Churkin, gjatë takimit të sigurisë për Ukrainën, duke iu përgjigjur drejtpërdrejtë kryeministrit ukrainas.
Churkin ka saktësuar se Rusia “nuk kërkon asnjë përkeqësim të mëtejshëm të krizës në Ukrainë. Votimi në Krime përfaqëson të drejtën e krimeanëve për vetëvendosje”.
Deklarata e tij ka ardhur pasi lideri i përkohshëm i Ukrainës ka theksuar në OKB se ka ende mundësi për një zgjidhje paqësore me Rusinë sa i përket Krimesë, ndërkohë që ambasadorja amerikane Samantha Poëer ka deklaruar se “të paktën 10 mijë trupa ruse kanë nisur ushtrime ushtarake jo shumë larg kufirit lindor të Ukrainës.
Ndërkohë, Kina nga ana e saj i është larguar “partneritetit” me Rusinë, kur bëhet fjalë për Ukrainën. Ambasadori kinez në OKB, Liu Jieyi, ka konfirmuar në Këshillin e Sigurisë “nevojën për të respektuar integritetin territorial të ish-republikës sovietike”.
Diplomati rus është shprehur i hapur “për të gjitha propozimet, që ofrojnë mundësi për reduktimin e tensioneve”. Kina mund të vendosë të abstenojë në rast votimi të projekt-rezolutës amerikane.
Top Channel