Analizë reformave në Shqipëri

14/03/2014 00:00

Komiteti i 7 i Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë diskutoi për dy ditë në Strasburg zhvillimet politike dhe ekonomike në 6 muajt e fundit.

Bisedimet u fokusuan në zbatimin e ligjit për shërbimin civil, pavarësinë e institucioneve të tilla si ILDKP, ai i Statistikës, apo AMA, për luftën ndaj korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë, dhe reformën e gjyqësorit, ku dhe Komisioni Europian dha vlerësimet e deritanishme, përpara se t’i raportojë Këshillit të BE-së që pritet të vendosë në qershor për statusin kandidat të vendit.

Jean Eric Paquet, drejtor për Ballkanin, KE: “Mendoj se për reformën gjyqësore nuk është punuar dhe aq, por kjo është sigurisht një sfidë madhore për administratën, e në këtë kuptim angazhimi për t’u këshilluar me Komisionin e Venecias të Këshillit të Europës konsiderohet shumë pozitive. Dua të nënvizoj dhe progresin në reformën e  shërbimit civil, sipas ligjit të miratuar vitin e kaluar me konsensusin e qeverisë dhe opozitës së atëhershme dhe që pritet të hyjë fuqi plotësisht më 1 Prill, bazuar në legjislacionin dytësor që është përgatitur dhe një pjesë e tij edhe është miratuar tashmë. Dy pika janë thelbësore këtu për Komisionin Europian. Së pari duhet të garantohen transparenca dhe respektimi i legjislacionit të zbatueshëm kur ristrukturohet administrata publike. Së dyti, vazhdimësia e punës duhet të ruhet, veçanërisht për kapacitetet që trajtojnë reformat që lidhen me integrimin në BE. Ndërtimi i një administrate të depolitizuar dhe të bazuar mbi merita është një sfidë, mendoj për disa vende të rajonit,  pa dyshim edhe për Shqipërinë për shkak të historisë së gjatë të politizimit të administratës publike dhe shpresojmë se ka vullnet politik ndërpartiak për t’u marrë me këtë sfidë.”

Fatmir Xhafaj, PS: “Ne shpresojmë dhe besojmë se në këtë proçes gjithpërfshirës, opozita do të luajë rolin e saj aktiv në kuadër të komisionit përkatës parlamentar, sepse reforma në drejtësi është e rëndësishme për vendin dhe procesin e integrimit të vendit.”

Eduart Halimi, PD:
“Paketa anti-mafia e cila u propagandua për të luftuar ministrat e deputetët nuk ka as edhe një artikull, asnjë nen që do të luftojë korrupsionin në qeveri. Ka vetëm tre kategori: gjyqtarët, prokurorët dhe kryetarët e komunave dhe bashkive, duke u shndërruar në një kamzhik për institucionet e pavarura dhe kundërshtarët politikë”.

Taulant Balla, PS: “Deri më tani në Shqipëri edhe nëse mund të gjykoheshe fajtor për korrupsion si person apo zyrtar, pasuria juaj nuk do të ishte prekur. Pra, ju mund të bënit 2-3 vjetë burg, por milionat e vëna përmes korrupsionit nuk do t’ju merreshin nga shteti. Nga tani e tutje që korrupsioni konsiderohet si krim i rëndë, jo vetëm që gjykoheni e dënoheni për vite, por të gjitha asetet dhe llogaritë bankare të vëna përmes korrupsionit do të konfiskohen dhe ky është një hap i madh”.

Gert Bogdani, PD: “Në fund të ditës, ne të gjithë duhet të punojmë sëbashku me ndihmën tuaj për të shtyrë qeverinë që të kthehet pas tek standartet, tek rruga e duhur. Kjo, jo për hir të Partisë Demokratike, jo për hir të opozitës, sepse për ne sa më shumë gabime të bëjë z. Rama, aq më mirë është se ai do të humbasë votat në fund e politika është veç numra e vota, por për hir të vendit, të Shqipërisë dhe shqipëtarëve”.

Vassilis Maragos, shefi i njësisë për Shqipërinë, KE: “Mendoj se është thelbësore për të patur një koordinim të ngushtë mes organeve të ndryshme të zbatimit të ligjit. Nuk është e mundur të luftohet efektivisht korrupsioni, nëse një pjesë e zinxhirit nuk punon siç duhet. Për këtë arsye, ne insistojmë shumë në vazhdimin e reformës për drejtësinë, që të garantohen emërime të depolitizuara, psh në Gjykatën e Lartë, në mënyrë që të kemi një gjyqsor profesional e kompetent, që punon e vepron në mënyrë korrekte. Kjo vlen edhe për prokurorinë gjithashtu. Një çështje e rëndësishme, për të gjithë ju që jeni apo keni qënë në qeveri sepse e kemi diskutuar shpesh, është të paturit të një baze solide statistikore, mbi të cilën do kemi për çfarë të flasim e të analizojmë si në përgjithësi, ashtu dhe detajet, në mënyrë që të merret vesh se kush bën çfarë në këtë zinxhir për të kuptuar nëse lufta ndaj korrupsionit po ecën në rrugën e duhur apo ka ende problemet e vazhdueshme”.

Aldo Bumçi, PD: “Emisioni investigativ Fiks Fare në televizionin kombëtar Top Channel, i cili është prezent edhe këtu po ashtu, njihet publikisht për ata që e ndjekin politikën shqipëtare, mbështetës i fortë i PS dhe kritikues i fortë për ne gjatë 8 viteve të qeverisjes, transmetoi materiale filmike duke evidentuar një rrjet të blerjes së votës, e ngritur dhe vepruese për PS, në zyrat elektorale të PS, për të garantuar që votuesit e rinj do të zgjidhnin kandidatët favorit në zgjedhjet lokale të Korçës në këmbim të parave në dorë”.

Majlinda Bregu, PD: “Unë nuk besoj se po të provojmë të japim një panoramë të jetës së lumtur, të proçedurave të lumtura, e se gjithçka shkon në rrugen e duhur në Shqipëri, ne nuk do të ishim të sinqertë me njëri tjetrin dhe ne nuk do të respektonim tërë procesin e integrimit europian dhe parimin e tij se ky proces bazohet mbi merita”.

Victor Bostinaru, S&D: “Jam i mendimit se Shqipëria e meriton që t’i jepet statusi i vendit  kandidat, por që për disa arsye të brendshme, ca vende anëtare vendosën për të kundërtën. Kjo nuk është domosdoshmërisht e ndershme, por ne nuk jetojmë ‘in vitro’, por në një terren real politik. Përgjërimi im ndaj jush do të jetë: ju lutem ndaloni me këtë baladë shqiptare, nëse ju nuk doni t’i bëni dëme shtesë vendit që ka paguar kaq shumë e kaq gjatë”.

“Balada shqiptare” përfundoi me një gjysmë-deklaratë të përbashkët. Edhe kjo, 3 orë pas orarit të përcaktuar nga sekretariati i PE-së, e kohës së çmuar në agjendën e eurodeputetit të vetëm në sallë, në kulm të fushatës së tij elektorale, bashkëkryetarit Eduard Kukan, në mungesë të përkthyesve, të mikrofonave, kameras, por dhe të sigurisë për të kapur fluturimin e paguar drejt Tiranës.

Tendenca negative e ekonomisë shqipëtare gjatë verës 2013, u njoh nga të gjithë. Opozita fitoi “përfaqësim të balancuar në Dialogun e Nivelit të Lartë” me Brukselin dhe “konsolidimin e institucioneve të pavarura”.  Kukan rezistoi për 5 nga 9 amendamentet e tij. Ndërsa e majta u pajtua me to.

Për të gjitha çështjet e tjera të draftuara, u vendos që mazhoranca dhe opozita të mblidhen të martën në komisionin parlamentar të integrimit për t’i diskutuar sërish ato dhe rezultati, marrveshje ose jo, t’i komunikohet palës europiane. Përgatiti: ARTA TOZAJ

PE-Shqipëri pa marrëveshje
Gjysmë-deklarate e përbashkët, diskutimet vijojnë në Tiranë

Debatet në Strasburg mes deputetëve shqiptarë nuk prodhuan miratimin e një deklarate në fund të Komitetit të 7-të të Stabilizim-Asociimit me Parlamentin Europian.

Takimi dyditor përfundoi me gjysmë deklarate të përbashkët, ndërsa për çështjet e mbetura diskutimet vijojnë të martën në Tiranë. Por a do të gjejnë konsensus?

Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Brukseli me kryeredaktorin Pandi Gjata ka qenë korrespondentja Arta Tozaj, që ndoqi debatet dyditore.

Së pari, cilat ishin pikat, që nuk u arrit konsensus për miratimin e deklaratës, dhe çfarë shije la tek eurodeputetët?

Në fakt që në fillim opozita kërkoi 1 orë kohë për të konsultuar dy sesionet e pasdites së ditës së parë dhe paradites së ditës së dytë, e më pas erdhën me një dokument me 18 pika, përfshi 9 amendamente, vec 11 pikave të parashtruara për në PE. Ndër këto reforma ishte dhe reforma administrative, që nuk përbën interes për integrimin dhe që u debatua që në fillim për t’u hequr, ndërsa së dyti ishte dhe cështja e Korcës, e denoncuar nga Fiks Fare për votat e “vjedhura”, si dhe emërimet e reja në Policinë e Shtetit dhe në administratë.

Çfarë sigurie ka, që konsensusi të arrihet në Tiranë? A priten eurodeputetë, që të jenë pjesë e bisedimeve të kësaj të marte në Shqipëri?

Eurodeputetët e kanë axhendën shumë të ngjeshur, sepse kanë zgjedhjet e tyre parlamentare dhe duhet të merren me kohën për të bërë fushatë. Të martën pritet vetëm vazhdim i debateve për ato cështje që palët i quajnë të rëndësishme për integrimin. Besoj se edhe nëse nuk arrihet konsensusi, kjo është e drejtë e politikanëve shqiptarë, ka të bëjë vetëm me një debat të brendshëm. Edhe pse të përfundosh në një tryezë me eurodeputetë për diskutime cështjesh të rëndësishme po shohim që bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Top Channel