F1, Montezemolo: FIA të shmangë hiletë

13/03/2014 00:00

Luca Cordero di Montezemolo, presidenti i Ferrarit, i është drejtuar të gjithë tifozëve të Formulës 1 nëpërmjet një letre të hapur në prag të nisjes së kampionatit dhe gjithashtu i ka kërkuar FIA-s të jetë e kujdesshme për të shmangur hiletë.

“Ky sezon është i mbushur me paqartësi për shkak të ndryshimeve të shumta në rregullore. Ndryshimet nuk prekin vetëm motorët, por edhe sistemet elektrike të integruara, njësitë e kontrollit, elementet aerodinamike… Tashmë kemi një makinë të ndërlikuar që kërkon një stil të ri pilotimi”, ka shpjeguar Montezemolo në letrën e publikuar nga faqja e skuderisë italiane.

“Për këtë arsye, objektivi i parë është besueshmëria. Të gjitha skuadrat kanë probleme. Ne i kemi piketuar problemet tona dhe po i zgjidhim. Do të jetë një kampionat i vështirë për t’u ndjekur nga publiku pasi pilotët duhet të kenë shumë kujdes me gomat dhe duhet të kursejnë sa më shumë karburant. Unë kam thënë gjithmonë që nuk dua që pilotët të kthehen në taksistë, por është e qartë që puna e tyre ka për të ndryshuar shumë”, shtoi Montezemolo, i cili i ka kërkuar FIA-s të jetë e shumë e kujdesshme në një vit ku ka shumë ndryshime në rregullore.

“Duke qenë se ndryshimet kanë të bëjnë me karburantin, elektronikën dhe konsumin e gomave, shpresoj dhe besoj që FIA do të ketë kujdes për të shmangur hiletë. Këto gjëra kanë ndodhur në të shkuarën jo të largët dhe nuk duhet të përsëriten më për të mirën e këtij sporti”, theksoi presidenti i Ferrarit.

Top Channel