UEFA ndëshkon Bajernin

12/03/2014 00:00

Autoritetet e disiplinës të UEFA-s kanë nisur procedurat për penalizimin e Bajernit të Mynihut pas ndeshjes ndaj Arsenalit, ku në shkallët e ‘Allianz Arena’ u shfaqën dy banderola.

Njëra prej banderolave cilësohet prej UEFA-s me përmbajtje politike. Ajo kishte të bënte më Kosovën. “Thuaji jo racizmit, thuaji po Kosovës” (Say No To Racism, Say Yes To Kosovo) shkruhej në njërën prej tyre.

Ndërsa banderola tjetër cilësohet nga disiplina e UEFA-s si homofobe. “Gay Gunners”, shkruhej në të, një lojë fjalësh në shënjestër të së cilës ishin “Topçinjtë e Londrës”. E sikur të mos mjaftonin fjalët, banderola ishte e shoqëruar edhe me një skicë, aspak të hijshme.

Ndëshkimi pritet të jetë një shumë prej 50 mijë eurosh, nisur nga fakti që është hera e parë që Bajerni bëhet objekt i disiplinës.

Këtë sezon UEFA është treguar më e ashpër ndaj klubeve, tifozët e të cilëve shkelin rregulloren e disiplinës. CSKA e Moskës luajti një ndeshje pa tifozë në stadiumin e saj, pas thirrjeve raciste drejtuar ndaj Yaya Toure në ndeshjen kundër Manchester City.

Top Channel