Milan, dështimi i Mario Balotellit

12/03/2014 00:00

Mario Balotelli ka dështuar edhe një herë tjetër, ka humbur edhe një tjetër rast të artë për të treguar që është një kampion, një lojtar që është në gjendje të vendosë fatin e ndeshjeve i vetëm. Në një mbrëmje si ajo e “Vicente Calderon”, kur të gjithë i kishin sytë nga ai, SuperMario nuk dha asgjë.

Sulmuesi nuk shënoi dhe u paraqit shumë nervoz gjatë gjithë ndeshjes dhe në një moment rindërtimi të Milanit, pyetja lind natyrshëm: a është Balotelli njeriu ku duhet të mbështeten kuqezinjtë për ekipin e së ardhmes?

Futbollisti i kombëtares italiane ka talent të padiskutueshëm, por i mungon personaliteti për të qenë një udhëheqës i vërtetë. Në Europë ka shënuar vetëm 7 gola në 29 ndeshje në karrierë, ndërsa këtë sezon vetëm 2 gola në 8 ndeshje. Shumë pak për një lojtar që duhet të mbante mbi supe sulmin e Milanit.

Këto janë fjalët e Seedorf në lidhje me sulmuesin pas humbjes 4-1 ndaj Atletico Madrid: “A prisja më shumë prej tij? Gjithmonë shpresoj të zhvillojë ndeshje të bukura, por skuadra nuk prodhoi asgjë në pjesën e dytë.”

Milani do të luajë edhe 11 ndeshje deri në përfundim të një sezoni ku nuk ka më asnjë objektiv pas eliminimit nga Champions, por Balotelli duhet të tregojë që ka ende dëshirë për të luajtur pasi Botërori i Brazilit është në prag dhe sytë e Italisë janë të drejtuara tek ai.

Top Channel