Juventusi synon 100 pikët

10/03/2014 00:00

Me fitoren ndaj Fiorentinës në fundjavë, Juventusi vuri njërën dorë tek titulli i tretë radhazi kampion në Itali.

Por vec pikëve të marra, bardhezinjtë e drejtuar nga Antonio Conte barazuan edhe rekordin e Torinos së 1975-1976, me 14 ndeshje, të gjitha fitore në fushën e tyre.

Kur kanë mbetur edhe 11 javë nga përfundimi i Serisë A, Conte synojnë një tjetër rekord, të paktën trajneri i tyre; kapjen e 100 pikëve, si asnjë skuadër tjetër në historinë e futbollit italian. Rekordi aktual i më shumë pikëve të grumbulluara në një kampionat, mbahet nga Interi i Mancinit në 2007, plot 97 pikë.

97 pikë janë shumë, por Juventusi ka një mesatare prej 2.67 pikësh për ndeshje dhe me një llogari të thjeshtë matematikore, nëse kjo mesatare ruhet në 11 ndeshjet e ardhshme, kampionët në fuqi të Italisë, këtë sezon mund ta mbyllin me 101 pikë.

Megjithatë, ashtu si në dy sezonet e kaluara, rendimenti i bardhezinjëve bie menjëherë sapo preket titulli kampion. Në 2012, të zënë nga euforia humbën Kupën e Italisë duke zhvilluar një ndeshje të shëmtuar përballë Napolit, ndërsa një vit më vonë barazuan me Kaljarin dhe u mundën nga Sampdoria në shtëpi.

Për të mos harruar që skuadra angazhohet edhe në Ligën e Europës dhe përballja e radhës është pikërisht ndaj Fiorentinës. Mes Europës dhe Italisë, dhe për më tepër me Botërorin që po troket, futbollistët mund të tregohen racionalë me energjitë e tyre, por nga ana tjetër është edhe numri 100, që përkthehet një vend në histori.

Top Channel