Kaçakët dhe Gjerasimët

09/03/2014 00:00

Fatos BAXHAKU – Ja ku kaluan edhe këtë vit festat e marsit. Sikurse ndodh rëndom ndër zijafete u thanë plot fjalë të mira e me vend dhe nganjëherë edhe ndonjë fjalë pa vend. S’ke ç’i bën, i kanë festat këto. Një përkujtimore e veçantë u organizua në Manastir, “në djepin e alfabetit”, me rastin e 120-vjetorit të vdekjes të Gjerasim Qiriazit, patriot e mësues i njohur, përhapës i Ungjillit në gjuhën shqipe.

Kemi pasur rast ta themi edhe tjetër herë, por gjërat edhe harrohen, që një histori e hidhur e pat lidhur Gjerasimin me Shahin Matrakun, edhe ky i konsideruar patriot i njohur, i bërë më shumë i famshëm nga një kuadër e Spiro Xegës. Në dimrin e 1884-s, plot dhjetë vjet para se të vdiste, Gjerasimi u rrëmbye nga çeta e Shahin Matrakut dhe u mbajt peng nëpër malet e acarta të Gorës e Mokrës për plot gjashtë muaj. U lirua vetëm pasi njerëzit e tij paguan një shumë të majme. Gjerasimi më vonë botoi një libër me kujtime të titulluar “Peng i Kaçakëve” (Kartë e Penë, Tiranë 1993) me qëllimin sikurse shkruante ai vetë “që të përshkruajë jetën e cubave, bisedat e tyre dhe të gjitha ato që ngjanë gjatë gjashtë muajve sa kam qenë peng i tyre”.

Në këtë libër Qiriazi përshkruan edhe ndonjë bisedë që bënte netëve të gjata me komitët. Dialogu është shumë interesant për të kuptuar dy këndvështrime të ndryshme mbi shoqërinë. Gjerasimi i drejtohet komitit Tuni Kokoneshi: “…Ti do që vetëm të tjerët të punojnë drejt. Veprat e mira i dashke, por vetëm kur i bëjnë të tjerët. Duke gjykuar tjetrin ti dënon edhe veten, pasi ke dalë malit me një tufë kaçakësh. Kur na i ditke detyrat ndaj të tjerëve, përse nuk i zbaton ato atëherë? Kush të ndalon të bësh atë që të do zemra e të thotë mendja? Sikur këtë energji që përdor për gjëra të mbrapshta, ta vije në punë për drejtësi e mirësi, besoj se sot do të kishe namin e mirë”.

Debati ndizet edhe më kur ndërhyn vetë kapedani, Shahin Matraku. Ky nxehet një copë herë me Gjerasimin, sepse pengu nuk pranonte të premtonte se nuk do të tregonte ku ishte mbajtur në robëri. “Të gënjesh është mëkat i madh”, këmbëngulte Gjerasimi. Atëherë kapedan Shahini mban një fjalim të vërtetë. “Ne s’ia kemi ngenë t’u vëmë veshin fjalëve të tua – ka gjëmuar ai – se, po ta kishim bërë këtë, s’do dilnim kaçakë malit. Po ku u gjetka ai njeri që qenka ashtu si e do ti? Më trego vetëm një, të kam rixha! A ka ndonjë që nuk vjedh, nuk gënjen e nuk lakmon? Ju që e mbani veten të drejtë e të ndershëm, mos ju gënjen mendja se jeni të larë? Gënjeshtra, hajdutëria dhe lakmia maten me kute të ndryshme dhe shpesh fajtorët rrinë rehat në shtëpitë e tyre e gjëllojnë në mes të atyre që gërthasin për drejtësi. Tërë bota e di se ne vrasim, plaçkitim dhe mashtrojmë, kështu që njerëzit ruhen prej nesh. Prandaj, ma do mendja, që nuk jemi aq të rrezikshëm sa të tjerët. Kush ia vë veshin atij që thotë të vërtetën? Si në kohët e vjetra, ashtu edhe tani, të ligjtë duan t’i fshijnë nga faqja e dheut ata që punojnë për drejtësi. Në sytë e botës të ligjtë mbahen për shenjtorë, por përbrenda janë plot hilera e ligësi. Ata venë e luten në kishë, ndezin qirinj e falin dhurata dhe pandehin se me bakshishe do të lajnë gjynahet e tyre. Po qe se Zoti ua fal kështu gjynahet, atëherë më parë më takon mua të shkoj në xhenet, pasi unë nuk kam lënë kishë në Opar e në Gorë pa ndezur qirinj. E ç’qirinj pa! Jo si ata tuajët, po na, sa krahu im! Shpesh i kam falur dhurata kishës, kam dëgjuar meshë. Priftërinjtë më kanë lexuar mbi kokë dhe nuk kam lënë zakon e adet të kishës pa bërë. Nëse nuk i bëj ashtu si duhet, për këtë nuk është faji im, pasi nuk më ka mësuar njeri. Zoti na ka bërë me qëllim fatzinj. Sikur të na qeshte fati, edhe ne do të kishim pakëz dritë dhe puna do të mbrodhësonte, mirëpo Zoti na ka lënë ta kërkojmë fatin vetë”.

Si ka marrë zemër nga fjalimi gati-gati filozofik i kapedanit fjalën e merr edhe një nga vëllezërit Kokoneshi, kaçakë të njohur: “Hallall të qoftë o kapedan Shahini! Fjalë me vend ke thënë! Kur vemi të rrëfehemi te prifti, për pesë groshë ai është gati t’i marrë mëkatet mbi vete e t’i lutet Zotit për ne. Në një fshat këtu afër kam një mikun tim prift, që lutet gjithmonë për ne, pasi shpesh i çojmë nga plaçkat e vjedhura. Kush e di sa zijafete kemi ngrehur në shtëpinë e tij. Kur na binin prapa ushtarët, venim dhe e futnim kokën atje. Para ca muajsh ai bëri hazër të birin që ta sillte me ne, por unë nuk e lashë, pasi nuk i ka hije të birit të priftit që të dalë kaçak. Ai na bën goxha punë kur vete në pazar, aty merr vesh se ç’bëhet dhe vjen e na i thotë. Nganjëherë na blen gjëra në pazar dhe bën shumë për ne. Kur i vete në shtëpi, është sikur ka ardhur mbreti. Ç’thua – më pyet – a i kemi punët në vijë, apo jo?”.

“Kokoneshi ra sërish të flinte – shkruan Gjerasimi – kurse Shahini ngau me shkop njërin nga shokët që flinte, që ta ngrinte të bënte roje, pasi deshi të flinte vetë. Ky u ngrit duke u dridhur nga të ftohtit, i hodhi ca dru zjarrit dhe u ul. Unë u shtriva dhe shpejt më mori gjumi”. Debati etiko-moralo-filozofik në qiell të hapur mes mësuesit dhe kaçakëve kishte marrë fund. Pak ditë më vonë Gjerasimin e dorëzuan tek i vëllai në Lin, në breg të liqenit, në këmbim të treqind lirave turke.

Edhe këtë 7 mars festuam, kujtuam e përkujtuam sa s’ka më. Gjë me vend, figura e mësuesit është tashmë e shenjtëruar, të paktën në mendjet e miliona nxënësve e ish-nxënësve, vetëm se atyre, pra mësuesve anekënd vendit, me siguri do t’u ishte bërë qejfi edhe më shumë sikur ne ta kishim shtuar ca atë listën e Gjerasimëve dhe ta kishim shkurtuar edhe më atë të kaçakëve. Por ani, “s’ka gajle”, të ardhmen përpara e kemi.

Marre nga “Gazeta Shqip”

Top Channel