Skënderbeu vijon fitoret

08/03/2014 00:00

Skëndërbeu vazhdon rrugëtimin e tij drejt kurorëzimit për herë të katërt kampion. Këtë herë në Korçë është mundur Bylisi me rezultatin 2-1.

Me këtë fitore të arritur përballë ballshiotëve Skëndërbeu mbyll fazën e dytë me 11 pikë larg vendit të dytë që është Laçi edhe këtë javë, pasi ka fituar 1-0 përball Kastriotit.

Ndërkohë, ka dhuruar spektakël Tirana në “Qemal Stafa”, ku ka mundur 3-1 Kukësin. Golat e parë për të dyja skuadrat u shënuan me penallti, në fillim Tirana me Takun dhe më pas Kukësi barazoi brenda pjesës së parë me Çikalleshin, po nga 11-metërshi.

Me fillimin e pjesë së sdytë ishte Xhilberto që përfitoi nga një mosmarrëveshje e portierit Halilaj dhe mbrojtësit Smajli, ndërsa në minutën e 71-të, nga një aksion perfekt i Morinës, Ndikomanës dhe Xhilbertos erdhi goli i tretë i Tiranës që merr një fitore shumë të rëndësishme, pasi i ngjit bardheblutë për herë të parë jashtë zonës së ftohtë.

Ndërkohë, ndeshja në Durrës mes Teutës dhe Partizanit është mbyllur në barzim 1-1. Xhafaj shënoi për durrsakët në fillimin e pjesës së dytë, ndërkohë që në fund barazoi Nexhipi, duke konfirmuar sërish pikën e dobët të Teutës, e cila ka humbur disa pikë nga golat e pësuar në fundin e ndeshjes.

Flamurtari ka mundur të fitojë 4-2 në Lushnje përballë vendasve, duke i fundosur akoma më shumë dhe në të njëjtën kohë duke harruar atë që ndodhi një javë më parë përballë Tiranës.

Shehaj dhe Dushku shënuan dy golat e parë për vlonjatët, ndërkohë që goli i Fonsekës në pjesën e parë dhe i Cankës në fillimin e së dytës sollën barazimin e përkohshëm, pasi Abilaliaj shënoi dy gola shumë shpejt, respektivisht në minutën e ‘75 dhe ‘77.

Ndërkohë, ndeshja tjetër mes Vllaznisë dhe Besës është mbyllur në barazim, madje tifozët shkodranë braktisën në mënyrë demonstrative stadiumin për shkak të lojës së dobët.

Top Channel