Kievi: Nuk njohim ndarjen

07/03/2014 00:00

Kryeministri i Ukrainës, Arsenji Jacenjuk paralajmëroi parlamentin e Krimesë se, “askush në botën e civilizuar nuk do të njohë referendumin për t’iu bashkuar Rusisë”. Ai e cilësoi këtë lëvizje “jokushtetuese dhe të paligjshme”.

Jacenjuk tha të premten se: “Ukraina është e hapur për të nisur bisedimet me Rusinë, nëse ky vend tërheq trupat dhe u bindet marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Referendumi ka mbështjen e parlamentit të Rusisë. Kryetarja e Dhomës së Lartë tha se, “nëse populli i Krimesë do të votojë më 16 mars për t’iu bashkuar Rusisë, atëherë ne do ta mbështesim pa mëdyshje këtë zgjedhje”.

Hapi i deputetëve të Krimesë për t’iu bashkuar Federatës Ruse vjen ndërsa rriten tensionet ndërkombëtare për praninë e trupave pro-ruse në rajonin jugor.

Kievi nuk e njeh udheheqjen pro-ruse te Krimesë, që u betua gjatë një seance të jashtëzakonshme në parlamentin rajonal, ndërsa njerëz të armatosur morën nën kontroll ndërtesat qeveritare.

Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e Krimesë e cilësojnë të paligjshme qeverinë e përkohshme në Kiev, e formuar pas rrëzimit të ish-presidentit Viktor Yanukovych.

Megjithese shumica e njerezve në Krime janë rusë etnike, Mark Lowen në Simferopol tha se rezultati i referendumit nuk është i sigurt dhe mund të shënojë një ndarje mes brezash; me të moshuarit që ndjehen të lidhur me Rusinë dhe të rinjtë që thonë se rusët dhe krimeanët dallojnë mes tyre.

Putin: Nuk pranoj kërcënime
Moska i përgjigjet Perëndimit: S’e njohim gjuhën e sanksioneve

Pas masave ndëshkuese të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, Moska tha se “nuk do të pranojë gjuhën e sanksioneve dhe kërcënimeve”.

Ministria e Jashtme ruse akuzoi Brukselin se po merr hapa ekstreme dhe aspak kontrsuktive, pasi udhëheqësit e Bashkimit Europian ishin të një mendjeje për të ngrire bisedimet për të lehtësuar kufizimet e lëvizjes së rusëve. Edhe Uashingtoni vendosi kufizime të vizave për disa zyrtarë rusë dhe ukrainas.

Gjigandi rus i gazit, GAZPROM paralajmëroi Kievin se do të ndërprese eksportin e gazit nëse nuk do të zgjidhë çështjen e borxhit prej 1.89 miliardë dollarësh. Në vitin 2009, GAZPROM pezulloi furnizimin me gaz të Ukrainës, çka solli për pasojë kufizime në të gjithë Europën.

Pas një bisede të gjatë telefonike, presidenti amerikan Barack Obama i tha atij rus, Vladimir Putin se, “veprimet e Rusisë përbëjnë një shkelje të sovranitetit të Ukrainës”.

Ai tha se ekziston një zgjidhje e përshtatshme për të gjitha palët, bisedime mes Kievit dhe Moskës, vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtare në Ukrainë dhe zmbrapsjen e trupave ruse në bazat e tyre.

Nga ana e tij, shefi i Kremlinit tha se, “autoritetet e reja në Kiev kanë marrë vendime të paligjshme në pjesët pro-ruse të Ukrainës dhe Moska nuk mund të injorojë thirrjet për ndihmë.

Gjithashtu, ai tha se marrëdheniet Rusi-SHBA nuk duhet të sakrifikohen për shkak të mosmarrëveshjeve për probleme ndërkombëtare të veçuara, megjithëse tejet domethënëse.

Të premten, të paktën 65 mijë persona morën pjesë në një miting në Moskë dhe shprehën solidaritetin për autoritetin e Krimesë. Për të dytën ditë radhazi, 47 vëzhgues ushtarakë të OSBE-së u ndaluan nga persona të armatosur të hynin në Krime, në pikën e kontrollit të Cungarit.

Gazetarja e BBC-së, Betany Bell tha se ekziston një mbështetje e gjerë nga selia e OSBE-së në Vjenë për një mission afatgjatë të vëzhguesve në Ukrainë, por delegacioni rus këmbëngul se nuk kanë mandatin për t’u zhvendosur atje.

Top Channel