Guardiola: Shumë pak blerje në verë

07/03/2014 18:30

Bajerni ka siguruar Robert Lewandowskin nga rivalët e Dortmundit për sezonin e ardhshëm, por ky mund të jetë përforcimi i vetëm i rëndësishëm tek bavarezët në merkaton e verës.

Kështu u shpreh Pep Guardiola, trajneri i Bajernit, i cili në një intervistë pranoi se po planifikon shumë pak ndryshime në skuadrën e tij.

Përveç polakut, Bajerni ka siguruar edhe talentin e Frankfurtit, Sebastian Rode dhe Guardiola tha: “Mendoj se baza e skuadrës do të vazhdojë të jetë pak a shumë e njëjta. Me këtë nivel që kemi shfaqur, kemi nevojë për shumë pak blerje”.

Kampionët e Europës në fuqi do të përballen këtë fundjavë me Wolfsburgun, shpresa e të cilit për t’u kualifikuar në Champions pësoi një goditje të rëndë javën e shkuar, pas humbjes 6-2 me Hoffenheimin.

“Do të luajmë ndaj një prej rivalëve kryesorë të kampionatit. Ata janë një kundërshtar shumë i rrezikshëm, pavarësisht humbjes 6-2 të javës së shkuar”, komentoi Guardiola.

Top Channel