E pandryshuar gjendja e Michael Schumacher

07/03/2014 00:00

Michael Schumacher vazhdon të jetë “në fazën e zgjimit” dhe gjendja e tij mbetet e “pandryshuar”. Kështu u shpreh për mediat përfaqësuesja e ish-pilotit të Formulës 1, i cili pësoi një aksident të rëndë me ski në fund të dhjetorit.

“Gjendja nuk ka ndryshuar. Cdo informacion që nuk konfirmohet nga stafi mjekësor ose nga familjarët e Michael, duhet konsideruar i pavlefshëm”, tha Sabine Kehm.

45-vjeçari ka më shumë se dy muaj i shtruar në spitalin e Grenoble, ku fillimisht iu nënshtrua dy operacioneve neurokirurgjike dhe më pas u mbajt në koma të induktuar, derisa një muaj pas shtrimit mjekët nisën përpjekjet për ta zgjuar.

Gjendja e tij shëndetësore ka qenë vazhdimisht motiv spekulimesh nga media të ndryshme e për këtë arsye zëdhënësja e tij ka përsëritur apelin që të merren të mirëqëna vetëm komunikimet e mjekëve apo familjarëve të 7 herë kampionit të Formulës 1.

Top Channel