Dënime më të forta për tritolin

07/03/2014 00:00

Atentatet me anë të eksplozivëve janë bërë një mjet i efektshëm për botën e krimit, ku autori nuk lë gjurme dhe shanset e zbulimit janë të pakta.

Nisur nga kjo valë krimi që po terrorizon publikun, Ministria e Brendshme ka propozuar ndryshime në Kodin Penal për të ashpërsuar masat e dënimit për dy vepra penale që parashikojnë krimet ‘e prodhimit dhe shpërndarjes së eksplozivëve’ si dhe ‘shkeljes së rregullave për ruajtjen e tyre’.

Në relacionin shoqëruar të projektligjit për rishikimin e Kodit, Ministria e Brendshme si hartuese e tij, vëren:
“Duke marrë shkas  nga veprimtaria kriminale e përdorimit te lendeve plasëse, prej të cilave siguria e rendit është e cenuar, nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit është bërë një analizë e hollësishme dheështë arritur në konkluzionin se, veç shkaqeve të tjera, kjo situatë favorizohet edhe nga masa e ulët e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.
Sipas Ministrisë së Brendshme krahas veprave penale me lëndë plasëse, gjatë kësaj periudhe janë konstatuar edhe shkelje në rregullat e ruajtjes se tyre nga subjektet e licensuara për përdorim civil, ato të import-eksportit, apo kompanitë që e perdorin atë në gurore apo shfrytëzime të tjera nëntokësore.

Shkelja e këtyre rregullave ka bërë që sasi eksplozivësh të përfundojnë në duart e kriminelëve. Ministria bën të ditur se si pasojë e hetimeve janë arrestuar persona që kanë shkelur ligjin për ruajtjen e lëndëve eksplozive, por ata janë liruar pasi ligji e parashikon si kundravajtje penale.

Për këtë arsye Ministria e Brendshme i konsideron të pamjaftueshme sanksionet e parashikuara në rastet e konsumimit të veprës penale të ‘prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municioneve” si dhe “shkeljes të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Për këtë arsye propozohet që paragrafi 3 të nenit 278 të Kodit Penal, ku është parashikuar masa e dënimit me burgim nga një deri në pesë vjet, të ndryshohet dënimi nga 5 deri në  tetë vjet burg. Gjithashtu, në nenin 282 të Kodit Penal, ku përcaktohet vepra penale: “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, ku masa e dënimit është me  gjobë ose me burgim deri në dy vjet, të parashikohet në dënimin me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Po ashtu, në paragrafin e dytë, masa e dënimit nga ajo me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet, parashikohet me dënimin vetëm me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Duke hequr mundësinë e dënimit me gjobë dhe caktimin e një kufiri të dënimit minimal më të lartë se ai ekzistues.

Ndryshimet ne Kodin Penal
Krimi “Prodhimi dhe mbajtja e lëndëve plasëse”
Është: Burgim nga 1-5 vjet
Bëhet: Burgim, nga 5-8 vjet
Krimi:  “Shkelja e rregullave të ruajtjes së lëndëve plasëse”
Është:  Gjobe ose burgim deri në 2 vjet
Bëhet: Burgim 3-5 vjet

Top Channel