
Duke e cilësuar krizën në Ukrainë si sfidën më serioze të sigurisë, që nga luftrat ballkanike të 1990, BE-ja vendosi një ditë më parë pezullimin e bisedimeve me Moskën për çështjen e vizave, e bashkë me Ameriken po ashpërson retorikat ndaj Rusisë.
Megjithatë, Vladimir Putin vazhdoi të shfaqet sfidues ndaj Perëndimit dhe masave që paralajmërohen prej tij. Por, nëse shefi i Kremlinit nuk ndryshon qëndrim, ndaj Rusisë mund të ketë një raund të dytë sanksionesh.
“Nëse raundi i parë i sanksioneve nuk funksionon, do të ketë një tjetër, e këtë herë shënjestra do të jenë biznesmenët rusë dhe njerëzit e afërt të Vladimir Putin”, ka thënë Laurent Fabius, ministër i Jashtëm i Francës.
Për momentin, blloku europian duket i rezervuar në lidhje me vënien e sanksioneve ekonomike. Shefi i Kremlinit shpreson që Europa të jetë e përçarë në këtë temë.
Lidhjet më të forta tregtare i kanë gjermanët, ndaj dhe hezitimi kryesor vjen prej Angela Merkel. Kryeministri britanik, David Cameron, nga ana tjetër, druhet se Londra mund të dëmtohet, nëse masat ekonomike prekin oligarkët rusë.
Për kontinentin e vjetër, sfida më e madhe tani është të flasë në një zë të vetëm. Londra është një prej destinacioneve më të preferuara të miliarderëve rusë.
Shkëmbimet tregtare të Gjermanisë me Rusinë, nga ana tjetër, arritën vitin e kaluar në 103 miliardë dollarë dhe gjigantë gjermanë, si “Volksëagen” kanë investuar ndjeshëm në Rusi.
Aktualisht, situata ka mbetur në nivel kërcënimesh, edhe pse Merkel e pranoi që ngjarjet në Ukrainë, e sidomos ato në Krime, e meritojnë një përgjigje.
Top Channel