Përfaqësues të institucioneve shtetërore, politikanë, përfaqësues të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qytetarë të shumtë e nxënës, të enjten kanë bërë homazhe në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz të Skënderajt, për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit Adem Jashari, e familjes së tij.

“Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vepra e rënia e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrifica e familjes emblematike Jashari dhe rënia në altarin e lirisë e të gjithë atyre bijave e bijve, përbëjnë bazamentin e Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. Është dëshmia më e mirë për shtetin tonë, për Republikën e Kosovës, që është shtet i barabartë, si dhe popujt e tjerë të shteteve të tjera të Evropës, dhe me një të ardhme të qartë drejt integrimeve evropiane, euroatlantike dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.

“Jemi këtu për të marrë edhe më tepër energji, shpresë, optimizëm dhe besim, për të kujtuar dhe nderuar veprën heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, gjithë dëshmorëve të lirisë, gjithë veteranëve të luftës, për të respektuar sakrificën e familjeve të dëshmorëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për sakrificën e tyre sublime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke punuar sot, të gjithë së bashku, që në një të ardhme të afërt Kosova të jetë në mënyrë të dinjitetshme dhe të merituar pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, por edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri Hashim Thaçi.

“Dhe duke iu falënderuar këtij misioni, Ushtria Çlirimtare dhe gjithë kombi shqiptar janë mobilizuar dhe u masivizuan për të luftuar për lirinë dhe pavarësinë, që e kemi sot dhe po e gëzojmë të gjithë”, tha Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit.

“Me Mitrovicë të ndarë, me këtë papunësi të madhe e varfëri, nuk mund të themi se ka mbaruar puna. Përkundrazi, kemi aq shumë punë dhe beteja në të ardhmen, teksa Jasharajt, me sakrificën e tyre, me vetëmohimin e tyre, paraqesin udhërrëfyesin tonë si popull, si shoqëri dhe si komb”, tha Albin Kurti, kryetar i “Vetëvendosjes”.

Për homazhe në Prekaz ishte edhe një delegacion nga subjekti më i ri politik, “Nisma për Kosovën”, e kryesuar nga Fatmir Limaj. Në nderim të sakrificës dhe heroizmit të familjes Jashari, homazhe ka bërë edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryesia e “Aleancës Kosova e Re”, por ndër të parët ishte edhe ambasadori në largim i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, i cili kompleksin e Jasharajve e quajti si “institucion moral kombëtar”.

Top Channel