Agnelli: Pogba përfaqëson ringritjen tonë

06/03/2014 00:00

Nga Parisi ku prezantoi projektet e përbashkëta mes Juventusit dhe UNESCO-s, presidenti i bardhezinjëve, Andrea Agnelli la të kuptohej se Paul Pogba është i pashitshëm…të paktën për momentin.

Numri një i kampionëve në fuqi të Italisë deklaroi se Pogba është i jashtëzakonshëm, një “trashëgimi e njerëzimit” nga e cila Juventusi nuk dëshiron që të heqë dorë.

Agnelli vlerësoi interesimin e PSG-së për mesfushorin e talentuar, vlerësim që sipas tij, bën krenarë Juventusin.

“Dëshira jonë është që të jemi një skuadër sa më kompetitive, duke u përforcuar gjithmonë, të jemi një skuadër që blejmë, jo që shesim dhe Pogba përfaqëson ringritjen e Juventusit. Të tërheqësh vëmendjen e skuadrave të tjera të mëdha nuk ka si të na trembë, përkundrazi, është një motiv krenarie”, tha Agnelli.

Presidenti bardhezi u ndal edhe tek raportet me trajnerin Antonio Conte dhe punën e tij. Ai tha se është i kënaqur nga rezultatet e teknikut, pavarësisht eleminimit nga Liga e Kampioneve dhe se bashkëpunimi mes shoqërisë dhe trajnerit do të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Top Channel