Verrati: Prej Francës rrezikoj Botërorin

05/03/2014 19:45

Mesfushori i Paris SG, Marco Verrati pranoi se kampionati francez i ka dëmtuar shanset e tij për t’u përfaqësuar në Botëror me kombëtaren e Italisë.

21-vjeçari është shndërruar në një prej futbollistëve kyç të kampionëve të Francës që kur mbërriti në “Parc des Princes” nga Pescara në verën e 2012-s, por ende nuk e ka të garantuar një vend në rreshtimin e Prandellit.

Në vlerësimin e tij, Verratti theksoi se Botërori nuk do të ishte në dyshim, nëse ai do të luante në Itali, por shtoi se nuk e kupton këtë absurditet, duke qenë se Paris SG e ka dëshmuar që është më i fortë se çdo skuadër në Serinë A.

“Mbase po ndëshkohem pak sepse luaj në Francë”, tha Verrati për “L’Equipe”. “Megjithatë, Paris SG është ende në Champions League, ndërsa ka shumë gjasa që asnjë skuadër italiane të mos arrijë në çerekfinale”.

Megjithatë, mesfushori i ri nuk i ka humbur shpresat për të qenë në Botërorin e Brazilit.

“Për mua do të ishte një ëndërr e bërë realitet që të marr pjesë në Botëror dhe do të bëj më të mirën time për t’ia dalë mbanë”, shtoi Verrati, i cili ka luajtur vetëm katër ndeshje me “axurrët” dhe nuk u grumbullua për miqësoren e së mërkurës ndaj Spanjës.

Top Channel