Padroni i Kremlinit

05/03/2014 00:00

Rusia është një shtet me qeveri dhe parlament. Ajo ka gjithashtu komisione, komitete dhe një Këshill të Sigurisë. Por të gjitha vendimet kyçe në këtë vend merren nga një njeri i vetëm: Vladimir Putin.

Ai qëndron në majën e pushtetit vertikal, të cilin e ka ndërtuar vetë. Aktualisht është ai që vendos se cilën rrugë duhet të zgjedhë Rusia. Kjo është arsyeja përse për të analizuar Rusinë, konkretisht atë që po bën dhe planifikon Moska zyrtare, mund të duket e vështirë. Kjo, pasi gjithkush duhet të depërtojë në mendjen e presidentit Putin.

Çfarë po mendon Putin në këto momente për Ukrainën? Çfarë i motivon lëvizjet e tij në politikën e jashtme? Cili është objektivi i tij? Korrespondenti i BBC në Moskë, Steve Rosenberg thotë në analizën e tij se motivi kryesor është se Putin ndihet i mashtruar nga Perëndimi.

Rasti i Libisë

Një gjë që e acaron Vladimir Putin është ndjesia e tij se po mashtrohet. E pamë këtë me Libinë në vitin 2011. Moska u bind të mos bllokonte rezolutën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një zonë ndalim-fluturimi për të mbrojtur civilët. Por aksioni ushtarak i NATO-s çoi në ndërrimin e regjimit dhe në vdekjen e kolonelit Muammar Gaddafi, ngjarje këto që shkuan përtej pritshmërive të Moskës. Kjo shpjegon në njëfarë mënyre përse Rusia vendosi menjëherë veton në rastin e rezolutës për Sirinë.

Rasti i Ukrainës

Edhe përsa i përket Ukrainës, presidenti Putin ndjen se Perëndimi ka luajtur me të. Muajin e kaluar ai dërgoi të dërguarin e tij në Kiev për të marrë pjesë në negociatat për një marrëveshje mes presidentit Viktor Yanukovych dhe opozitës. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, përfshiu mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, reformë kushtetuese dhe qeverinë e unitetit.

Përfaqësuesi i Kremlinit nuk e nënshkroi marrëveshjen, por Rusia u duk se e pranoi atë si zgjidhjen më të mirë në një situatë të keqe. Por këtë e bëri vetëm me fjalë. Më pak se 24 orë më vonë, zoti Yanukovych nisi arratinë, pasi parlamenti e shkarkoi nga detyra dhe vuri në vend të tij një president të përkohshëm nga radhët e opozitës. Rrjedha e ngjarjeve e kapi Moskën tërësisht në befasi.

Ndërhyrjet e Perëndimit

Bota, sipas Vladimir Putin, është ajo në të cilën fuqitë Perëndimore komplotojnë natë e ditë se si të destabilizojnë Rusinë dhe atë personalisht. Ai mban mend Revolucionin Rozë të vitit 2003 në Gjeorgji, Revolucionin Portokalli në Ukrainë një vit më pas, ngjarje që sipas tij kanë qenë të dyja të planifikuara nga Perëndimi. Më së fundmi, Kremlini akuzoi direkt Perëndimin për financimin dhe mbështetjen e protestave anti-qeveritare në Moskë.

Për muaj të tërë, Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian se kanë ndërhyrë në Ukrainë për përfitime gjeopolitike. Ditën e martë, Putin tha se: “Refuzimi i Yanukovych për të nënshkruar marrëveshjen e përbashkët me BE-në vjeshtën e kaluar ishte vetëm një justifikim i Unionit për të mbështetur forcat e opozitës në luftën e tyre për pushtet… dhe nuk është hera e parë që Partnerët tanë perëndimorë e kanë bërë këtë në Ukrainë”.

Çështja e NATO-s

Më pas vjen çështja e NATO-s. Në një intervistë për gazetën “Kommersant” në vitin 2010, Putin kujtoi se si Aleanca i kishte premtuar Bashkimit Sovietik se nuk do të zgjerohej përtej kufijve të tij. “Ata na mashtruan neve në mënyrën më të ulët”, theksoi Putin. A do të thotë vendosja e një qeverie pro-perëndimore në Kiev një të ardhme në NATO për Ukrainën? Moska do ta perceptonte atë si një kërcënim serioz ndaj sigurisë së saj kombëtare.



Rivaliteti me SHBA

Në një fjalim të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2007, Vladimir Putin denoncoi atë që e konsideronte si “botë njëpolare”, ku Shtetet e Bashkuara janë padroni i vetëm. Ai është shprehur i vendosur të mbrojë ato që i sheh si interesat legjitime të Rusisë nëpër botë, qofshin ato në Siri apo më afër në Ukrainë.

Top Channel