Klose: Shumë mundësi interesante përpara meje

05/03/2014 19:30

Sulmuesi i Lazios, Miroslav Klose, deklaroi se nuk e ka ende të qartë se çfarë rezervon e ardhmja për të, por ai siguroi që përpara tij mbeten disa “propozime interesante”.

Golashënuesi gjerman është në vitin e fundit të kontratës në “Olimpico” dhe për të përflitet mundësia e rikthimit në Gjermani apo kalimi në kampionatin amerikan.

Megjithatë, e vetmja gjë e sigurt që ka Klose për momentin, është fakti se në Botërorin e Brazilit, nëse do të arrijë të grumbullohet, do të luajë ndeshjet e tij të fundit me përfaqësuesen.

“Mund të vazhdoj të luaj në nivel të lartë edhe për 2-3 vjet më shumë”, tha Klose në një intervistë. “Falenderoj Zotin, që përpara meje ka kaq shumë opsione interesante. Ka shumë zëra të pavërteta rreth meje, por është e sigurt që do të vazhdoj të luaj në nivelin më të lartë”, shtoi gjermani.

Me 68 gola të shënuar në 130 ndeshje me kombëtaren, Klose ka barazuar rekordin e të madhit Gerd Muller, si golashënuesi në historinë e përfaqësueses gjermane.

Top Channel