
Mbrëmjen e së hënës (orët e para të së martës) presidenti amerikan Barack Obama ka zhvilluar një takim me kabinetin e tij në Shtëpinë e Bardhë, përfshi këshilltarët më të lartë të sigurisë kombëtare, Sekretarin e Shtetit, John Kerry, Sekretarin e Thesarit, Jack Lew, Sekretarin e Mbrojtjes, Chuck Hagel, si dhe kreun e Shefave të Shtabit, Gjeneral Martin Dempsey.
Ndërkaq, zëdhënësi i Pentagonit, nën-Admirali John Kirby, lëshoi një deklaratë ku thuhej se nuk ka asnjë ndryshim të pozicionimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Europë apo në Detin Mesdhe. Ai shtoi se SHBA-të po vlerësojnë marrëdhëniet ushtarake me Rusinë, por theksoi se “…duke parë zhvillimet e fundit në Ukrainë, kemi vendosur të pezullojmë të gjitha angazhimet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Këtu përfshihen ushtrimet, takimet bilaterale, vizitat nëpër porte dhe planifikimin e konferencave”.
Por, zhvillime të reja vijnë edhe nga Shtëpia e Bardhë, ku zëdhënësi i Përfaqësuesit amerikan të Tregtisë flet për CNN. “Për shkak të ngjarjeve të fundit në Ukrainë, kemi pezulluar angazhimet në vijim të tregtisë bilaterale dhe investimeve me qeverinë e Rusisë, të cilat ishin pjesë e një hapi përpara për të thelluar marrëdhëniet komerciale dhe tregtare”. Të martën, Sekretari Kerry do të vizitojë Kievin, ndërsa NATO do të mbajë një konferencë urgjente pas kërkesës së Polonisë.
***
Sa i përket sanksioneve të mundshme ndaj Rusisë, administrata e Obama-s duket se po vepron me shpejtësi për të përgatitur listën e gjatë të tyre, por gjithnjë nëse presidenti Barack Obama do të vendosë të veprojë.
Gjatë fundjavës, Departamenti i Thesarit dhe zyrtarë të tjerë nisën të hartonin sanksionet e mundshme që, nëse do të vendosen, do të marrin formën e një Urdhri Ekzekutiv Presidencial. Kjo nënkupton se nuk do të jetë e nevojshme të merret miratimi i Kongresit.
Megjithatë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë tregohen të kujdesshëm, duke thënë se ende nuk është përcaktuar nëse do të vendosen sanksione ndaj Rusisë për lëvizjet e saj ushtarake në Krime, të cilat për Obama-n shkelin ligjin ndërkombëtar.
Demokratët në Senat, përfshi liderin e mazhorancës Harry Reid, paralajmëroi të hënën se çdo lëvizje e mundshme e SHBA-ve drejt sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë, duhet të ndërmerret në bashkëpunim me aleatët europianë”.
***
Zëvendës-presidenti Joe Biden, përmes një telefonate gjatë së hënës me kryeministrin rus, Dmitry Medvedev, i bëri thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj nga Ukraina, bën të ditur Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një deklarate të publikuar në orët e vona të së hënës. “Zv/presidenti nxit Rusinë të tërheqë trupat ushtarakë, të mbështesë dërgimin e menjëhershëm të vëzhguesve ndërkombëtarë në Ukrainë, si dhe të nisë dialogun politik me qeverinë ukrainase”. Gjithashtu, ai bisedoi edhe me kryeministrin e përkohshëm të Ukrainës, përmes telefonit, për të diskutuar reformat ekonomike në Ukrainë.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë thekson për CNN se administrata e Obama-s beson se Vladimir Putin dhe Rusia janë duke ndjekur një politikë të bazuar mbi të dhënat e disponueshme nga vet Putin. Duke qenë se administrata e SHBA-ve kundërshton me forcë këto të dhëna, zyrtari thotë se SHBA-të besojnë se Rusia po përgjigjet me ndjenjat e saj historike mbi Ukrainës, Krimenë, si dhe për vendin e tyre në sferën e influencës së Moskës.
Rusia po vepron, siç beson zyrtari, me frikën se Ukraina po bie drejt influencës europiane apo të Perëndimit. Sipas tij, kriza me shumë mundësi do të zgjasë, por nuk dihet se për sa kohë.
Reagon edhe Kina: Dialog e negociata
Ndërsa nga Kina, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Qin Gang, tha për reporterët në Pekin: “Bëjmë thirrje për të gjitha palët e përfshira të angazhohen për zgjidhje politike të kundërshtive mes tyre, përmes dialogut dhe negociatave. Të shmanget përshkallëzimi i situatës dhe të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal”.
Top Channel