
Me kërkesë të Polonisë, 28 ambasadorët e NATO-s u mblodhën të martën pas një kërkesë urgjente nga Sekretari i Përgjithshëm, sikundër të dielën e kaluar.
Anders Fogh Rassmussen lajmëroi se mbledhja është thërritur me kërkesë të Varshavës që referohej nenit 4 të traktatit themelues të Aleancës, në bazë të të cilit “çdo anëtar mund të kërkojë kurdo konsultime, nëse gjykon se i kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria”.
“Zhvillimet brenda dhe përreth Ukrainës përbëjnë një kërcënim për vendet aleate fqinje,me ndikim serioz e të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e zonës Euro-Atlantike,” bën të ditur NATO.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar, Rusia vazhdon të shkelë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si dhe zotimet e saj ndërkombëtare. Këto zhvillime janë kërcënime serioze për sigurinë dhe stabilitetin për vendet e Aleancës. Aleatët qëndrojnë së bashku dhe në solidaritet të plotë përballë kësaj krize”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 28 vendeve të Aleancës.
Më pas në deklaratë thuhet se NATO do të vazhdojë të ndjekë me shqetësim zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe se do të punojë me autoritetet ukrainase dhe ato ruse për zgjidhjen e krizës.
“Mbështesim të gjitha përpjekjet për një zgjidhje paqësore të krizës në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Mirëpresim cdo përpjekje të ndërmarrë nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, OSBE dhe Këshilli i Europës. Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me Ukrainën nëpërmjet Komisionit të përbashkët NATO-Ukrainë, gjithashtu edhe me Rusinë në Këshillin NATO-Rusi, i cili do të mblidhet të mërkurën”, përfundon deklarata e Aleancës.
Të enjten pritet të mblidhen 28 shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së. Samiti i jashtëzakonshëm synon të arrijë marrveshjen e munguar në takimin e së hënës të ministrave të jashtëm europian për “masat e synuara” ndaj Rusisë.
Në fokus të Bashkimit Europian është diskutimi për ndërprerjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave me Moskën dhe një embargo e mundshme mbi armët, por kompromisi në Bruksel ka pak gjasa të përshtatet me sanksionet kërcënuese të SHBA-ve.
Top Channel