Investitorët thonë se gara për koncensionet e HEC-eve është shoqëruar me probleme të korrupsionit, cka ka cuar shpesh në fryrje të projekteve të paraqitura.

Në një seancë dëgjimore me deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme kërkoi analizë më të specializuar në mënyrë që të përzgjidhet projekti më i mirë.

“Gara ka shkaktuar probleme të korrupsionit duke përplasur konkurentë të ndryshme dhe duke sjellë aspektin informal. Kjo ka bërë që projektet të paraqiten me fiktivitet sa i përket fuqisë, prodhimit por edhe pagesën konçensionare, vetëm që të përzgjidhen”, deklaroi Vasil Gjika nga Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme.

Nga 330 koncensione të dhëna nga qeveria shqiptare, aktualisht janë në punë vetëm 90 hece. Një tjetër shqetësim i investitorëve janë vonesat në pagesat për energjinë nga Koorporata Elektro Energjetike Shqiptare.

“KESH nuk na paguan. Nuk na shpjegon pse s’na paguan. Shkon 5, 6 dhe 7 muaj pa u paguar dhe shumica e investitorëve e kanë zgjidhur këtë problem duke iu drejtuar zyrës përmbarimore”, shton Gjika.

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme thotë se infrastruktura e rrjetit të energjisë elektrike është e amortizuar cka sipas saj shkakton një humbje prej 40 % nga prodhimi tek konsumatori. Kryetari i komisionit Eduard Shalsi thotë se sistemi ka nevojë për reformim të thellë, por sipas demokratëve detyra e qeverisë së re është të mos pengojë vrullin e këtij sektori.

Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese: Ky sistem ka nevojë për një reformë totale, institucionale, ekonomike, financiare, administrative.

Sherefedin Shehu, deputet PD: Ministri juaj që po e mburrni kaq shumë dhe qeveria ka vetëm një detyrë, që të mos pengojë zhvillimin e këtij sektori që ka marrë një zhvillim të vrullshëm dhe duhet të keni parasysh që është sektor strategjik për faktin se po të realizohen këto investime që kanë nisur do të rregullojë edhe bilancin tregtar të Shqipërisë.

Prodhuesit private të energjisë ia shesin atë KESH-it me cmimin disa herë më të lartë nga sa e prodhon vetë KESH-i, apo edhe se cmimi në tregun ndërkombetar.

Ndërkohë, zbatimi i këtyre projekteve në shumë zona të vendit ka hasur në protestat e banorëve për shkak të devijimit të rrjedhave të lumenjve dhe dëmeve që shkaktojnë në mjedis pasi disa prej lejeve janë edhe në parqe kombëtare të mbrojtura me ligj.

Top Channel