Spanjë, Atletico e Reali ndahen në barazim

03/03/2014 00:00

Atletico dhe Real Madrid nuk zhjgënjejnë, por dhurojnë spektakël në derbin madrilen. 2-2 ishte rezultati përfundimtar i këtij takimi që pati gjithçka brenda 90 minutave: golat, tensionin dhe agoninë e lojtarëve të të dy skuadrave.

Fillimi ishte perfekt për Realin e Madridit që vetëm pas 3 minutave gjeti avantazhin me Karim Benzema. U duk se edhe kjo ndeshje do të shkonte sipas skenarit të skuadrës së Ancelottit, por nuk ishin dakord për një gjë të tillë ata të Atleticos që me kalimin e minutave filluan të sulmonin portën e Diego Lopez.

Në minutën e 28 erdhi edhe goli i barazimit për bardhekuqtë e Diego Simeones falë Kokes. Në sekondat e fundit të pjësës së parë, Gabi me një supergol ngriti peshë tifozerinë e pranishme në “Vicente Calderon” duke i dhënë avantazhin Atleticos në 2-1.

Në pjesën e dytë Diego Costa në disa momente kishte mundësi shumë të mira për të shënuar golin e tretë, ndërkohë që edhe Reali u hodh në sulm për të shënuar golin e barazimit, qëllim të cilin e arriti 8 minuta përpara fundit me Cristiano Ronaldon, për të cilin ky ishte goli i tij i 23 në këtë sezon.

Në minutat e fundit Reali shtoi presionin te porta e Cortuois, por rezultati mbeti 2-2 me skuadrat që marrin vetëm 1 pikë, gjë që i mjafton Realit të Madridit për të ruajtur vendin e parë në La Liga edhe për këtë javë.

Ndërkohë, përfiton Barcelona nga ky barazim pasi shkatërron 4-1 Almerian. Me këtë fitore katalanasit ngushtojnë në 1 pikë diferencën me madrilenët kryesues.

Top Channel