Projekti italian i stadiumit të ri

03/03/2014 00:00

Telenovela e stadiumit të ri kombëtar po shkon drejt serive të fundit dhe mes dy ofertave që kanë ardhur, nga kompania gjigante franceze ‘Bujk’ dhe konsorciumi italian i ‘Serenisimas’, këta të dytët me sa duket kanë një dritë jeshile për të vazhduar me diskutimin e detajeve të kontratës, që do të thotë, sipas grupit përzgjedhës kanë më shumë avantazhe për të realizuar projektin e ofruar.

Top Channel ka mundur të sigurojë ekskluzivisht projektin e konsorciumit italian dhe sic ndodh shpesh në raste të tilla, për momenin mbetet vetëm të shijohet ajo c’ka kanë ideuar ata për të zëvendësuar stadiumin kombëtar dhe historik “Qemal Stafa”.

Ky stadium është parashikuar të jetë 22.000 vendësh dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Sigurisht një projekt i tillë ka parashikuar që vec funksionit si stadium, kjo godinë do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi dhe facilitete të tjera, ndërsa 4000 metra katrorë do të jetë një sipërfaqe në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj.

Ajo që bie në sy në anën veriore të stadiumit është një kullë e lartë, ku pjesa e sipërme do të shërbejë si restorant ekskluziv i stadiumit dhe një studio televizive trasmetimi.

Të dëgjosh kaq shumë vite për realizimin e një ëndrre të tillë, sigurisht që  kujtdo i lind pyetja se kur do ta kemi në dispozicion? Sipas kompanisë që e ka projektuar, nëse do të vendoset zyrtarisht, gjithcka do të fillojë me shembjen në shtatorin e këtij viti. Një proces që zgjat rreth 6 muaj maksimalisht, ndërkohë që sa i përket ndërtimit, afati është 2-vjecar, që do të thotë se rreth vitit 2017-të më në fund do të kemi edhe ne një tempull modern futbolli.

Top Channel