Përurohet stadiumi i Mitrovicës

03/03/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri prenë shiritin përurues në mjediset e rikonstruktuara të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Hashim Thaçi u shpreh i impresionuar me punën e kryer në stadiumin ku të mërkurën do të zhvillohet ndeshja historike, miqësorja e parë ndërkombëtare mes Kosovës dhe Haitit. Ai tha se qeveria do të vazhdojë me investime të tilla.

“Dëshiroj të falenderoj Ministrin e Sportit, zotin Memli Krasniqi, dëshiroj të falenderoj kryetarin e Federatës së Futbollit, zotin Fadil Vokrri për punën e jashtëzakonshme në internacionalizimin e sportit kosovar, në krijimin e mundësive për të zhvilluar ndeshjet e para ndërkombëtare për Kosovën, si një njeri që i ka dhënë shumë futbollit kosovar dhe bota e respekton për kontributin e tij, ndaj qeveria e Kosovës do të vazhdojë të investojë fort në futboll edhe në rinovimin e stadiumeve të tjerë në Kosovë. Pres që të mërkurën të kemi ndeshjen e parë mes Kosovës dhe Haitit, por të kemi edhe festë”, tha Kryeministri.

Thaci u shpreh i bindur në fitorën e përfaqësueses së Kosovës në këtë ndeshje.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, tha se me ndihmën e shtetit po i lehtësohet shumë puna, duke shpresuar në investime të ngjashme edhe në stadiume tjera.

Nga ana tjetër Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi tha se javët e ardhshme pritet përgjigje për bashkëpunim, nga Komuna e Prishtinës nëse do të investohet ngjashëm edhe në stadiumin e kryeqytetit.

Ndërkohë, gjatë ditës  përfaqësuesja e Kosovës, e prirë nga kryetari i FFK-së Fadil Vokrri, bënë homazhe te varri I ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe në kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz.

Vokrri tha se është ndeshje historike për ne dhe datën që do të luhet kjo ndeshje përkon me festat e marsit dhe Epopenë e UÇK-së.

Përfaqësuesja e Kosovës e përzgjedhur nga Albert Bunjaki, pasditen e të hënës, zhvilloi stërvitjen e parë në stadiumin e KEK-ut, në Kastriot.

Kosova dhe Haiti do të ndeshen të mërkurën pasdite në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ në ndeshjen e parë për Kosovën nën ombrellën e FIFA-së.

Top Channel