Low: Nuk kemi nivelin për të fituar Botërorin

03/03/2014 19:00

Ndonëse Gjermania ka në dispozicion një prej brezave më të talentuar në shumë kohë, trajneri Joachim Low beson se skuadra e tij nuk është ende në lartësinë e duhur për të fituar Botërorin.

Në një intervistë të publikuar në shtypin gjerman, Low pranoi se mbetet i shqetësuar për gjendjen fizike dhe emocionale në të cilën do të mbërrijnë shumë futbollistë në Botëror.

Me Schweinsteiger, Gundogan, Khedira, Hummels dhe Gomez që kanë përjetuar një sezon të mbushur me dëmtime dhe me Klosen, gjithashtu për ndeshjen e ardhshme miqësore ndaj Kilit, Low tha: “Në letër kemi një skuadër me futbollistë shumë të mirë, por e vërteta, fatkeqësisht duket pak më ndryshe”.

“E vërteta nuk është kaq e bukur se shumë prej lojtarëve tanë kanë qenë të dëmtuar për një kohë të gjatë dhe kanë humbur ritmin e duhur, prandaj duhet të përdorim këto 2-3 muaj që mbeten deri në Botëror për të përmirësuar nivelin tonë. Koha po kalon dhe duhet të jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë përpara, sepse kështu siç jemi nuk kemi nivelin e duhur për të fituar Botërorin”.

I pyetur nëse ka qartësuar planet e tij për skuadrën që do të udhëtojë në Brazil, Low theksoi se ndërsa ka në mendje një përbërje bazë të grupit që do të grumbullojë, ka ende kohë për të githë lojtarët gjermanë për të fituar ende një biletë. “Unë nuk përjashtoj asnjë nga kombëtarja dhe do të jetë forma që do të tregojnë ajo që do të përcaktojë gjithçka. Për fat të keq, në fund e di që do të më duhet të lëndoj 2-3 futbollistë me vendimin që do të marr”.

Top Channel