Hetimi për lëvizjet në polici

03/03/2014 00:00

Komisioni hetimor për lëvizjet e drejtuesve në Policinë e Shtetit përfundoi më herët nga sa ishte planifikuar. Tre nga shtatë anëtarët e opozitës, përfshirë edhe kryetarin e këtij komisioni, u larguan pas një debati nëse ka influencuar apo jo këto lëvizje në polici me gjendjen e rendit publik.

Kreu i këtij komisioni, Arben Ristani kërkoi të fuste si pikë në rend dite shkresën drejtuar kreut të policisë, Artan Didi, që hasi në kundërshtimin e maxhorancës, e cila e konsideroi një konkluzion të parakohshëm.

“Unë mendoj se duhet t’i kërkojmë drejtorit të na sqarojë se si ka vepruar, mbi ç’bazë e kritere, kur ka ndryshuar nivelin teknik e drejtues të policisë në raport me ruajtjen dhe marrjen e informacionit që këta punonjës policie merrnin nga informatorët, për të mos lënë pasoja në situatën e rendit”, deklaroi Ristani.

Taulant Balla, në cilësinë e nënkryetarit, tha se shkresa mund t’i drejtohet policisë, por rendi i ditës nuk mund të thyhet. “Bëni kërkesën me shkrim dhe të jeni të bindur se Policia e Shtetit do të sjellë informacione. Por ne nuk lejojmë që konkluzione të tilla të bëhen pa filluar puna. Ne nuk kemi filluar ende nga puna dhe jashtë rendit të ditës nuk mund të dalim”, deklaroi Balla.

Komsioni kërkoi rreth 2 mijë e 800 CV të policëve të shkarkuar, të emëruar dhe të ripranuar, me një volum prej 17 mijë faqesh, gjë që pati konsesus, i cili u prish në fund të mbledhjes.

Top Channel