
Presidenti në detyrë i Ukrainës, Oleksandr Turchynov akuzoi Rusinë se ka zhvendosur trupa ushtarake në Gadishullin e Krimesë në atë që ai e cilësoi si “përpjekje për të tërhequr Kievin në një konflikt të armatosur”.
Në një deklaratë publike në televizion ai tha se skenari i Moskës është që të tërheqë në luftë qeverinë e përkohëshme ukrainase për të justifikuar aneksimin e Krimesë.
Deklarata e tij mbërrin në një kohë kur raportimet në mediat ndërkombëtare flasin për mijëra trupa ruse që kanë zbarkuar nga ajri dhe deti në rajon, ndërkohë që banorët vendas, besnikë të Rusisë janë armatosur dhe kanë bllokuar hyrjet dhe daljet e Gadishullit si portet dhe aeroportet.
Yanukovych: Unë, presidenti i vetëm
Ndërkohë, Presidenti i shkarkuar i Ukrainës nuk e njeh qeverinë e re, të përfaqësuar sipas tij “nga fashistë të mbështetur nga perëndimi” dhe kërkoi shpërndarjen e menjëhershme të qeverisë dhe trupave të armatosura që patrullojnë rrugët.
Në një konferencë për shtyp në qytetin rus të Rostovit, të nisur në orën 14:00, Yanukovych theksoi: “Parlamenti Ukrainas është i paligjshëm dhe unë vazhdoj të jem presidenti i ligjshëm i Ukrainës. Zgjidhja e vetme është respektimi i marrëveshjes së arritur më parë me opozitën, për formimin e një qeverie të përbashkët që do të udhëheqë vendin deri në ndryshimet e ardhshme kushtetuese dhe zgjedhjet e parakohshme”.
Në një konferencë për shtyp të karakterizuar nga tone shumë të ashpra, Yanukovych thirri: “Njërëzit e armatosur duhet të largohen. Ne duhet të ofrojmë jetë normale për të gjithë ukrainasit, duhet të kemi paraysh interesin e të gjithë ukrainasve dhe sot vendi po drejtohet nga një pakicë fashistësh që nuk përfaqësojnë askënd. E gjithë kjo situatë është krijuar si rezultat i mbështetjes së verbër të perëndimit për këta protestues, por Ukraina është një vend i fortë dhe do të gjejë rrugën e saj”.
I pyetur në konferencën për shtyp nëse është i turpëruar për diçka, Yanukovych tha: “Jam i turpëruar dhe dua të kërkoj falje në radhë të parë të gjithë veteranëve, ukrainasve për atë që ndodhi në Ukrainë, për faktin që nuk kisha aq shumë fuqi për të mbajtur stabilitet dhe lejova këtë paligjshmëri që po ndodh tani në vend”.
Megjithatë, pjesa më e rëndësishme e fjalimit të presidentit të shkarkuar javën e shkuar nga parlamenti erdhi kur ai u pyet për situatën e krizës që po ndodh në Krime. “Unë nuk do të kërkoj për mbështetje ushtarake nga asnjë vend. Ukraina është një shtet i vetëm dhe qëndrimi im është që ai duhet të vazhdojë të mbetet i tillë. Ju garantoj se unë do të rikthehem në Ukrainë në momentin më të parë që do të kem garanci për sigurinë time. Por Rusia nuk mund të injorojë se cfarë po ndodh në një partner të madh si Ukraina. Moska duhet të përdorë të gjitha mjetet për të ndalur gjakderdhjen dhe terrorin, por jam kategorikisht kundër cdo ndërhyrjeje në Ukrainë dhe Ukraina duhet të qëndrojë një vend i bashkuar”, th ai.
Gjithashtu, Yanukovych shpjegoi edhe arsyet se përse ai u largua që në krye të herës nga Ukraina. “Nuk u arratisa nga Ukraina, por jam zhvendosur përkohesisht pasi i shpëtova një atentati në makinen time ndërsa po udhëtoja nga Kievi në Kharkov. Automjeti im u qëllua me armë automatike dhe ata që duan vrasjen time vazhdojnë të më ndjekin. Megjithatë, unë nuk kam frikë!”.
Yanukovych tha se nuk e ka takuar ende presidentin Putin dhe shtoi se “duke e njohur karakterin e presidentit rus, ndjehej i habitur nga fakti që ai ende nuk ka reaguar zyrtarisht për atë cfarë po ndodhë në Ukrainë. Yanukovich komentoi edhe akuzat e ngritura kundër tij duke thënë se asnjëherë nuk i ka dhënë urdhër policisë për të qëlluar ndaj protestuesve, por shtoi se policia ka përdorur të drejtën e vetëmbrojtjes. Presidenti i rrëzuar u ndal edhe tek pasuria e tij dhe shkurtimisht tregoi historikun e vilës luksoze që qarkulloi në media fill pas rrëzimit të tij. “Ju e dini shumë mirë që atë banesë e kam patur para se të bëhesha president, që nga 1999. Kam shpenzuar gjithcka duke e blerë atë trual për shumën prej 250 mijë dollarësh.
Ai kërkoi ngritjen e një grupi hetimor të pavarur për nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të dhunës së shkaktuar. “Duhet të ketë një hetim të pavarur me pjesëmarrjen e qeverisë, opozitës dhe Këshillit të Europës”, tha ai.
Yanukovich theksoi se zgjedhjet presidenciale të fiksuara në 25 Maj janë të paligjshme dhe se partia e tij do t’i bojkotojë, pasi zgjidhja e vetme është marrëveshja e arritur më parë mes palëve dhe e pranuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
I pyetur per lirimin e Tymoshenkos,Yanukovych theksoi: “Akuzat kriminale ndaj saj ishin te gjitha te provuara. Nje gjykate ukrainase vendosi per kete dhe kushtet e saj per te ne burg ishin ekskluzive. Vendimi se si u burgos ishte i ligjshem dhe se si u lirua jo, edhe pse une nuk kam pasur kurre asgje personale ndaj saj. Por, marreveshja qe ajo nenshkroi ishte ajo qe e denoi dhe Ukraina humbi mbi 20 miliarde dollare dhe Tymoshenko e di shume mire. Se cfare do te ndodhe me te ne te ardhmen? Kete do ta vendosin njerezit e Ukraines nepermjet votes se tyre”.
Putin: Të ndihmojmë Ukrainën
Por Presidenti rus, Vladimir Putin të enjten i kërkoi qeverisë së tij të ruajë marrëdhëniet me Kievin madje edhe t’i bashkohet përpjekjeve perëndimore për ta nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë ekonomike, ndërsa nga ana tjetër, sic raporton BBC, ai po shpërblen qeverinë e Krimesë me ndihma humanitare.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri u bëri thirrje palëve “të zmbrapsen dhe të shmangin cdo lloj provokimi”. SHBA kërkoi garanci nga Rusia pasi shefi i Kremlinit urdhëroi stërvitje ushtarake, për të testuar gatishmërinë e trupave ruse në qendër dhe perëndim të Rusisë, në afërsi të kufirit me Ukrainën, në fillim të javës.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer në Uashington, tha se kishte folur me homologun rus, Sergei Lavrov, i cili ishte zotuar se do të respektohej integriteti territorial i Ukrainës.
Krimea është një Republikë Autonome brenda Ukrainës që u transferua nga Rusia në vitin 1954. Duke iu referuar censusit të vitit 2001 në Ukrainë, ruset etnikë përbëjnë 58.5 %, ukrainasit etnikë 24.4 %, ndërsa tartarët 12.1%. Ukrainasit etnikë dhe tartarët myslimanë kanë formuar një aleancë që kundërshton cdo lëvizje drejt Moskës.
Top Channel