Ancelotti: Champions i dhjetë, motivimi ynë

28/02/2014 11:00

Champions League është ajo që motivon më shumë Realin e Madridit dhe trajnerin e tyre, Carlo Ancelotti, në këtë sezon futbollistik.

Në një intervistë të dhënë për “Canal +”, Ancelotti u ndal gjerësisht në temat e aktualitetit të skuadrës së tij, nga kampionati e deri tek puna e përditshme me skuadrën.

Champions – “Dëshira për të fituar titullin e dhjetë të historisë na motivon të gjithëve. Kjo do të ishte një arritje e shkëlqyer”.

Kampionati – “Ky kampionat është shumë interesant dhe tërheqës. Në luftë janë tre skuadra shumë të forta dhe kjo është një surprizë edhe për mua, pasi mendoja që Barcelona do të ishin kundërshtarët tanë të vetëm. Jam i befasuar nga niveli i treguar nga Atletico dhe puna e shkëlqyer që kanë bërë në atë klub”.

Casillas – Në intervistë, Ancelotti u pyet edhe nëse Casillas ndodhet në muajt e fundit të karrierës së tij në “Santiago Bernabeu”. “E kam shpjeguar shumë herë këtë situatë. Diego Lopez luan në kampionat, Iker në Kupë dhe Champions. Kjo mund të ndryshojë, por më duket një vendim normal, kur ke në skuadër dy portierë të mëdhenj dhe unë kam zgjidhur ta administroj kështu këtë situatë”.

Reali i Madridit – “Klubi është ashtu siç unë e kam imagjinuar, me një histori dhe imazh të madh në botë. Gjithashtu presioni i drejtimit të këtij klubi ndihet qartë, nga shtypi, nga vetë drejtuesit dhe futbollistët”.

Mbrojtja – “Ekuilibri është gjëja më e rëndësishme në futboll. Puna difensive nuk ka nevojë për fantazi apo teknikë të madhe, ndaj mund të rregullohet më shpejt dhe ne e kemi realizuar këtë duke ndryshuar sistemin e lojës dhe tani më shumë futbollistë janë të angazhuar në rikuperimin e topit kur nuk e kemi atë. Kjo skuadër gjithmonë ka pasur aftësi të shkëlqyera difensive”.

Atletico dhe Simeone – “Atletico i njeh shumë mirë limitet dhe cilësitë e tij. Përdor në mënyrë perfekte kundërsulmin dhe situatat në lojën inaktive. Bëhet fjalë për një ekip shumë efikas, që më kujton në çdo detaj, trajnerin e tyre Simeone kur ishte ende një futbollist”.

Top Channel