Verbofshi del para gjykatës

24/02/2014 00:00

Odise Verbofshi, autori i dyshuar i vrasjes dhe më pas djegies së dy të rinjve për një pazar droge, u paraqit në Gjykatën e Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Verbofshi ishte i braktisur nga familjarët dhe kërkoi falje për krimin e kryer dhe i qetë kërkoi dënimin sipas ligjeve në fuqi.

Prokurori i çështjes, Drini Pali ndërtoi dinamikën e ngjarjes ku mbetën të vrarë Shaban Babasi, 27 vjeç dhe Albert Kasalla, 32 vjeç. Sipas tij, viktimat kanë mbërritur rreth mesditës së të enjtes pranë servisit ku Verbofshi punonte me të vëllain.

Ata ishin të shoqëruar nga një person i tretë që ka qëndruar pranë servisit, derisa Babasi dhe Kasalla të mbaronin punë me Verbofshin.

Kur kanë mbërritur në shtëpi, autori ka kuptuar se viktimat nuk kishin para për të marrë mallin. Debati për paratë është shoqëruar nga ekzekutimi me plumb në kokë i të dyve.

Më pas Verbofshi ka takuar shoqëruesin e dy viktimave duke i thënë se ata do të vonoheshin pak, pasi kishin takuar dajën e tij. Që nga ai moment telefoni i tyre ka rezultuar i mbyllur, ndërkohë që autori ka nxituar të hartojë planin për asgjesimin e tyre me të rënë nata.

Përmes së shoqes ai ka kërkuar ndihmë për t’i blerë karburant Gazep Pilit, i cili e ka transportuar me motoçikletë drejt makinës në pronësi të vëllait të Shaban Babasit dhe më pas është larguar.

Autori ka marrë makinën dhe është kthyer në shtëpi për të futur trupat brenda saj dhe është larguar drejt një vendi pak të banuar në ish-kënetë, ku dhe i ka vënë flakën mjetit.

Akuza deklaroi se nga hetimet rezulton se Pili nuk ka qenë në dijeni të krimit, ndaj u la i lirë me detyrim paraqitjeje. Gjyqtarja e seancës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të.

Top Channel