
Skuderia Williams ka njoftuar të hënën se Susie Wolff, aktualisht e vetmja pilote femër në Formulën 1, nuk do të jetë vetëm pilote testimesh, por do të marrë pjesë edhe në dy sesione provash të lira gjatë këtij sezoni.
Wolff është pilotja që në dy vitet e fundit ka ndihmuar në zhvillimin e 3 makinave Williams gjatë periudhës parasezonale, por tashmë mund ta shohim edhe në provat e lira së bashku me pilotët e tjerë gjatë dy garave të Botërorit që pritet të fillojë së shpejti.
“Susie do të jetë femra e parë në dy dekadat e fundit që do të marrë pjesë në provat e lira të një Cmimi të Madh. Ajo është shumë e talentuar në zhvillimin e makinave”, tha Pat Symonds.
Vetë pilotja u shpreh: “Falenderoj Williams-in për mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë. Vit pas viti janë rritur përgjegjësitë e mia brenda ekipit dhe pjesëmarrja në dy sesione të lira do të jetë një tjetër hap i madh për mua.”
Top Channel