Atletico Madrid lëshon kreun

24/02/2014 00:00

Atletico Madrid bëri një paraqitje shumë të dobët ndaj Osasunës dhe u mund 3-0 në stadiumin El Sadar duke lëshuar kështu kreun e renditjes.

Në minutën e 6 Cejudo kaloi në avantazh vendasit me një goditje fluturimthi pas një goditjeje këndi. Më pas, Armenteros (21’) dhe Roberto Torres (42’) vulosën fatin e takimit që në pjesën e parë.

Bardhekuqtë madrilenë nuk reaguan fare në pjesën e dytë dhe kjo paraqitje është shqetësuese për ta, sidomos kur mendohet se ndeshja e tyre e radhës në kampionatin spanjoll është ajo ndaj Real Madrid, kryesuesve të ligës me 63 pikë, 3 më shumë se Atletico dhe Barça.

Trajneri Simeone pranoi humbjen me qetësi: “Na zunë ngushtë në pjesën e parë dhe nuk dolëm për asnjë moment në lojën tonë. Kur kundërshtari luan më mirë, unë nuk kam probleme ta përgëzoj.”

Top Channel