Akuzat e Sinanajt për Mëhillajt

24/02/2014 00:00

Avokatët mbrojtës të Andon Mëhillajt e kanë djegur të drejtën për t’u ankuar në Gjykatën e Apelit në lidhje me masën e sigurisë së vendosur nga Krimet e Rënda, atë të arrestit me burg.

E me sa duket kjo gjë nuk do të ndodhë as në ditët në vijim për shkak se vetëdorëzimi i Mëhillajt shihet nga mbrojtja si një gadishmëri e 39-vjeçarit për t’u përballur me drejtësinë. Por cilat janë veprat për të cilat dyshohet Andon Mëhillaj?

Në dokumentat që TCH disponon hetuesit konfirmojnë edhe njëherë rrëfimin e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, i cili implikon dy kushërinjtë Mëhillaj në disa ngjarje kriminale përgjatë periudhës 2011-2013.

Sinanaj e ka cilësuar Andon Mëhillajn si një biznesmen ndërtimesh dhe pronar tokash në Karaburun, që kishte porositur të vendoste lëndë plasëse në pallatin e Ardian Kollozit. Qëllimi për këtë ngjarje ishte që të përhapte panik mes familjarëve, si dhe të dëmtonte apartamentet e banimit.

Sipas të penduarit Sinanaj, Ejron Mëhillaj mund ta ketë ndryshuar emrin në Andon pasi kishte qenë i dënuar në Itali për trafik droge dhe se nga njohja që kishte me të kishte arritur të kuptonte që ai donte të bëhej zotërues i të gjithë tokave që kishte me farefisin në Karaburun.

Ky kishte qenë edhe motivi i vrasjes së Sokol Veizit, pasi viktimën e shikonte si kërcënim për pronat në Orikum. Për këtë vrasje Julian Sinanaj pohon se kishte rënë dakord me porositësin që sinjali që vrasja u krye të ishte një zile telefoni.

Motivi se përse Andon Mëhillaj donte ta vriste biznesmenin Agron Çela ishte se kishte me të probleme për trafiqet e drogës në Itali. Pas krimit Julian Sinanaj pohon se i ishte treguar vetëm pamja e objektivit, ndërkohë që emrin e tij e kishte mësuar një ditë më pas në edicionin e lajmeve.

Për tentativën për të vrarë biznesmenin Pirro Bare, i akuzuari tjetër Gentian Mëhilli, së bashku me një biznesmen tjetër, i kishte thënë Julian Sinanajt këtë frazë: “miku im e do të vdekur këtë person”.

Pas tre takimesh në një lokal, ku iu dhanë për krimin e radhës 50 mijë euro, u ra dakord që 100 mijë të tjera t’i dorëzoheshin pasi të mbaronte punë.

Komunikimi mes tyre pas kësaj ka vuijuar me email, thotë prokuroria, ndërkohë që njëherë në çdo tre ditë Sinanaj shkonte pranë banesës së biznesmenit në Qerret, ku kishte planifikuar të kryente vrasjen.

Kisha menduar – thotë Julian Sinanaj në rrëfimin e tij – që këtë biznesmen ta vrisja me eksploziv, duke realizuar një bombë me benzinë dhe eksploziv dhe ndezjen ta bëja me celular.

Top Channel