18 muaj burg për Niang, ish-sulmuesi i Milanit

24/02/2014 20:05

M’baye Niang, sulmuesi i Milanit që luan si i huazuar në skuadrën franceze të Montpellier u dënua me 18 muaj heqje lirie me kusht, pasi ishte shkaktari i një aksidenti rrugor më parë gjatë Janarit.

19-vjeçari u arrestua pasi u përfshi në një aksident me Ferrarin e tij, ndonëse pak kohë më parë i ishte hequr patenta.

Dëshmitarët thanë se Niang u përplas me disa automjete të parkuara dhe mënjëherë pas aksidentit braktisi vendngjarjen, pa pritur ardhjen e policisë.

Ndonëse sulmuesi gjithmonë ka pretenduar se nuk ishte ai në timonin e makinës së tij, gjykata vendosi se provat kundër adoleshentit ishin të mjaftueshme dhe e dënoi me 18 muaj heqje lirie, që do të rëndojnë automatikisht mbi Niangun nëse ai do të realizojë ndonjë shkelje tjetër penale.

Niang duhet të paguajë edhe 700 euro për humbjen e kontrollit, 100 euro gjobë për tejkalim shpejtësie dhe 100 euro për kalim me semafor të kuq, patenta i hiqet për tre vjet, ndërsa detyrohet të zhvillojë 170 orë punë të papaguar në ndihmë të komunitetit.

Pavarësisht këtij dënimi, 19-vjeçari mund ta konsiderojë veten me fat, pasi rrezikonte deri në pesë vjet heqje lirie pa kusht, çka me siguri do të kishte rrënuar përfundimisht karrierën e tij në futboll.

Top Channel