
Milan fiton 2-0 në transfertën e “Marassi”-t, falë një performance të kënaqshme ndaj Sampdorias. Kuqezinjtë e nisin me ritëm të lartë dhe gjejnë golin e avantazhit vetëm pas 12 minutash lojë, me marokenin e ardhur në Janar, Taarabt.
Për momentin duket se skuadra e Seedorf po ecën mirë, ndërsa Saponara i jep vlera dyfish këtij triumfi. Në pjesën e dytë, Rami mbyll gjithçka në minutën e 58, edhe pse me një gol që nis nga një ndërhyrje e gabuar e prezumuar nga Pazzini.
Vendasit protestojnë dhe më pas humbin toruan për një penallti të mohuar, pas ndërhyrjes së Amelias. Maxi Lopez del me karton të kuq, pasi ndëshkohet dy herë radhazi me të verdhë brenda 10 sekondash, për protesta.
Milan ndryshoi fytyrë dhe tregon anën e tij më të mirë të këtij sezoni. Skema 4-2-3-1 e Clarence Seedorf nis të funksionojë, pikërisht në ditën kur nuk është Balotelli, i dëmtuar në shpatull, dhe Pazzini zbret në vijën e parë të sulmit.
Me prezencën e vazhdueshme të numrit 11 në zonën kundërshtare, manovrat e kuqezinjve rriten në përpjestim të drejtë me rrezikshmërinë e tyre. Hapësirat për të sulmuar nga mbrapa bëhen më të theksuara dhe “djalli kuqezi” kërkon vazhdimisht vertikalizimet në lojë. Kushti kryesor: të luhet përpara dhe në mënyrë të shpejtë, ndoshta edhe me topa të gjatë kur të jepet mundësia.
Ndërkohë, Inter ndalet në shtëpi nga Cagliari, teksa për të disatën herë në këtë sezon mungon “tripleta”. Pas dy fitoreve radhazi vjen ky barazim me sardët, në një takim që u ndoq edhe prej Thohir.
Një Inter i shëmtuar, i cili në pjesën e parë rrezikon shumë, madje edhe ndëshkohet në minutat e fundit, pas penalltisë së Pinilla-s. Ndërsa në pjesën e dytë shfaqet disi më mirë dhe, pas hyrjes së Icardi-t, arrihet edhe goli i barazimit: ky i fundit jep asist për golin e shënuar nga Rolando. Icardi-t duket se i mungoi edhe fati në fund, pasi në shtesë godet traversën.
Ndoshta një rastësi, por me shumë mundësi jo. Mungojnë Hernanes dhe Icardi, mungon edhe Inter. Mungojnë idetë dhe gjeometria në mesfushë, mungojnë rrezikshmëria dhe freskia në sulm. Me pak fjalë, nuk shihet i njëjti arsyetim dhe ajo prezencë para portës, të cilat janë parë në ndeshjet e fituara me Sassuolo-n e mbi të gjitha me Fiorentinën.
Në derbin e luajtur gjatë orëve të pasdites së të dielës, Juventus ka mposhtu me rezultatin minimal 1-0 ekipin e Torinos, falë një goli të shënuar nga Carlos Tevez në fund të pjesës së parë, duke ruajtur distancën prej 9 pikësh nga Roma e vendit të dytë, teksa kryeqytetasit janë me 1 ndeshje më pak.
Javë decizive për titullin do të jetë ajo në vijim, kur në javën e parë të Marsit Juventus do të udhëtojë drejt “San Siro”-s për t’u ndeshur me Milanin, ndërsa Roma do të presë Interin në “Olimpico”.
Top Channel