Ligue 1, Ibra s’di të ndalet, trigolësh me Tuluzën

23/02/2014 00:00

Paris Saint Germain i kundërpërgjigjet Monaco-së, në javën e 26-të të Ligue 1, teksa fiton në transfertën e Tuluzës 4-2.

Të besuarit e Blanc, pas këtij suksesi, rikthejnë avantazhin prej 5 pikësh nga skuadra e principatës, duke grumbulluar deri më tani 61 pikë.

Golat për parizienët u shënuan nga Lavezzi dhe Ibrahimovic, që, pas dopietës ndaj Leverkusen në Champions League, siglon një “tripletë” në kampionat. Për Tuluzën, në vendin e 10 me 33 pikë, nuk mjaftojnë 2 golat e shënuar nga Yedder.

Edhe pse ishte Tuluza që rrezikoi e para, duke goditur traversën, ai që shënon është sulmuesi suedez në minutën e 31, nga pika e bardhë e 11-metërshit. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet 1-1. Në të dytën, Thiago Motta falet nga arbitri, i cili nuk e ndëshkon me kartonin e dytë të verdhë, pas një ndërhyrjeje ndaj Chantome.

Lavezzi rikthen avantazhin në të 56-tën, pas një aksioni të nisur nga Ibra për Cabaye, ndërsa në të 69-tën shënon vet suedezi, këtë herë me kokë. 3 minuta më vonë Tuluza ngushton diferencën, por 1 minutë nga fundi i takimit Ibrahimovic vulos gjithçka.

Top Channel