Shqipërisë iu rezervua një grup i vështirë për kualifikueset e Europianit të 2016-s, që do të zhvillohet në Francë.
Kombëtarja jonë do të luajë përballë Portugalisë së Cristiano Ronaldos, por në një ndeshje që pritet të sjellë shumë emocione, edhe përballë kombëtares serbe.
Në grupin e kuqezinjve, atë me shkronjën I, është vendosur edhe Franca, e cila është e kualifikuar në cilësinë e vendit organizator, por që do të luajë ndaj pesë rivalëve nga dy herë ndeshje miqësore, pa vlerë pikësh.
Në të njëjtin grup me Shqipërinë vendoset edhe Armenia e Danimarka.
“Mendoj që është një nga shortet më të vështira që i ka rënë ndonjëherë Shqipërisë në historinë e vet, por gjithsesi ka surpriza, mendoj se do të ketë të tilla gjatë rrugës që do të bëjmë. Ekipet e tjera janë shumë të forta dhe thuajse janë njësoj, ndërsa ne jemi pak më dobët se ato”, tha Alban Bushi, menaxher i ekipit kombëtar.
“Mendoj se nga ana jonë nuk ka pse të ketë përgatitje ekstra nga ndeshjet e tjera, sepse të gjitha ndeshjet për ne janë njësoj. Si Danimarka, si Portugalia apo dhe Serbia nuk kanë ndonjë ndryshim për ne, sa i përket aspektit të përgatitjes, por duhet thënë se ndeshjen ndaj Serbisë publiku e pret ndryshe nga ne”, shtoi Alban Bushi, menaxher i ekipit kombëtar.
Ndeshjet e Euro 2016, përfaqësuesja jonë do t’i zhvillojë në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, pasi pritet që në nisjen e kualifikueseve në Shtator të ketë nisur puna për rindërtimin e “Qemal Stafës”.
Falë ndryshimit të formatit të Euro 2016, në grupin tonë me pesë skuadra kualifikohen automatikisht dy ekipet e para, ndërsa e treta kalon në play-off.
Keto jane te gjithe perballjet qe percaktoi shorti i mbajtur kete te diele ne Zvicer
Grupi A: Holandë, Republika Çeke, Turqi, Letoni, Islandë, Kazakistan
Grupi B: Bosnje dhe Hercegovinë, Belgjikë, Israel, Uells, Qipro, Andorra
Grupi C: Spanjë, Ukrainë, Sllovaki, Bjellorusi, Maqedoni, Luksemburg
Grupi D: Gjermani, Irlandë, Poloni, Skoci, Gjeorgji, Gjibraltar
Grupi E: Angli, Zvicër, Slloveni, Estoni, Lituani, San Marino
Grupi F: Greqi, Hungari, Rumani, Finlandë, Irlandë e Veriut, Ishujt Faroe
Grupi G: Rusi, Suedi, Austri, Mal i Zi, Moldavi, Lihtenshtein
Grupi H: Itali, Kroaci, Norvegji, Bullgari, Azerbajzhan, Maltë
Grupi I: Portugali, Danimarkë, Serbi, Armeni, Shqipëri (+Francë, që është pjesë e grupit, por duke qenë e kualifikuar automatikisht ndeshjet ndaj saj do të kenë vlerë miqësore)
Top Channel