Parlamenti shkarkon Yanukovych

22/02/2014 00:00

Parlamenti ukrainas ka votuar pasditen e së shtunës për shkarkimin nga detyra të presidentit Viktor Yanukovych, si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 25 maj.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave pro shkarkimit votuan 328 deputetë nga 387 që ka Parlamenti ukrainas.

Vetë Yanukovych deklaroi pak më herët se nuk ka ndërmend të dorëhiqet dhe i cilësoi ngjarjet në Kiev si një “grusht shteti”. Yanukovych tha se ai është një president legjitim dhe se nuk ka ndërmend të lërë as Ukrainën dhe as presidencën.

“Ngjarjet në Kiev janë vetëm vandalizëm, banditizëm dhe një grusht shteti. Ndërsa votimet e bëra të premten në Parlament janë ilegjitime”, tha presidenti në një intervistë të transmetuar nga televizioni publik ukrainas pak pas orës 16:00, me orën lokale.

Yanukovych theksoi se i duhet të mbrojë njerëzit dhe se nuk do të kursejë asnjë përpjekje për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Stacioni televiziv njoftoi se presidenti aktualisht ndodhet në qytetin lindor të Kharkivit, në afërsi të kufirit me Rusinë.

Zëdhënësi i Parlamentit, Oleksandr Turchynov deklaroi se ai është ndaluar nga policia kufitare të hipë në bordin e një avioni për t’u nisur në Rusi, për t’u strehuar diku në rajonin e Donetskut. Një sipërmarrjeje të tillë duket se ia ka arritur ministri i Mbrojtjes, që ka fluturuar për në vendin fqinj.

Një marrëveshje u arrit të premten mes Yanukovych dhe liderëve të opozitës, por protestuesit vijuan edhe të shtunën manifestimet duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke ecur të pa bezdisur drejt rezidencave personale dhe zyrtare të kreut të shtetit.

Përveç një vote kundër nga 387 deputetë, në Parlamentin ukrainas u votua një ditë më parë në kuadër të marrëveshjes në favor të rivendosjes së kushtetutës së vitit 2004, e cila redukton pushtetin e presidencës.

Tymoshenko fiton lirinë
Pritet të mbajë një fjalim në sheshin Pavarësia

Heroina e Revolucionit Portokalli, Yulia Tymoshenko u la e lirë pasi kaloi tre vjet në burg, një nga ngjarjet më dramatike në Ukrainë, por sot një nga më të gëzuarat për mijëra përkrahës të opozitës.

Pamjet e agjencisë së lajmeve Reuters tregonin se Tymoshenko ka mbërritur në Sheshin Pavarësia në Kiev nga burgu, që ndodhej në qytetin Karkiv, në lindje të Ukrainës.

Janë mijëra njerëz të mbledhur në sheshin që ditë më parë u bë arenë e përleshjeve më të ashpra mes forcave të sigurisë dhe protestuesve. “Diktatura ra”, ishin fjalët e para të saj pas daljes nga burgu.

E konsideruar si oratorja e vendosur që drejtoi revoltën e Ukrainës kundër korrupsionit në vitin 2004, Yulia Tymoshenko u dënua në vitin 2011 me akuzën për abuzim me pushtetin, për një marrëveshje për gazin me Rusinë, që binte ndesh me interesat kombëtare të vendit.

Ajo u dënua me 7 vjet burg. Akuzat i cilësoi mashtrime, të frymëzuara nga njeriu që ajo kishte rrëzuar në vitin 2004, Yanukovych, i cili u kthye për ta sfiduar në zgjedhjet presidenciale në vitin 2010.

Lirimi i saj u votua nga Parlamenti, që ndryshoi Kodin Penal, pjesë e marrëveshjes se arritur mes Yanukovych dhe opozitës, e ndërmjetesuar me tre ministrat e Jashtëm të BE-së.

Tymoshenko është konsideruar si një talisman i opozitës ukrainase dhe aleatët politikë të saj kanë shpresuar për kthimin e saj në politike. 

Top Channel