“Liria e lëvizjës pa viza për kosovarët mundësohet, vetëm atëherë kur të plotësohen kriteret. Askush nuk mund të flasë për data, se kur mund të ndodhë kjo dhe është e padrejtë e jo produktive, që ndokush të flasë për këtë çështje”. Kështu ka deklaruar në Prishtinë, europarlamentarja Tanja Fajon.

Gjatë një konference për shtyp, ajo tha se, në muajin Mars, në Kosovë do të vijë për të dytën herë misioni i ekspertëve, për të parë nga afër se çfarë është punuar për përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit.

Problemi kryesor, sipas saj, është numri i madh i azilkërkuesve nga Kosova drejt BE-së. Për këtë, ajo i ka thënë dy ministrave, Rexhepi e Çitaku, që të punojnë për ndalimin e kësaj dukurie.

“Padyshim që ka frikë, sepse kur njerëzit largohen, do të thotë se kushtet e jetës janë të vështira. Është e zorshme edhe t’i fajësojmë, por duhet ta dini se kur largoheni ilegalisht nga shteti, atëherë do të ktheheni. Prandaj, kjo është diçka që duhet ta dini, sepse kështu rrezikoni veten, jetën, por edhe shtetet që duhet t’iu kthejnë prapa në Kosovë. Duhet të jemi të vetëdijshëm, se udhëtimi ilegal është i papranueshëm. Pikërisht për arsyen, që njerëzit po largohen nga vendi, këtu duhet t’u sigurohet jeta më e mirë. Kemi krizë në gjithë Evropën, por shpresoj që, së shpejti në Kosovë, njerëzit të mos kenë më nevojë të largohen nga vendi”, tha Tanja Fajon.

Gjatë një konference për mediat, Fajon njoftoi se, pas takimeve që ka zhvilluar me dy ministrat, Vlora Çitaku e Bajram Rexhepi, është njohur me detaje për punën që po bëjnë institucionet e Kosovës, në përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash.

“Askush nuk mund të thotë qartë, se kur do të hiqen vizat për Kosovën, sepse kjo varet nga plotësimi i kritereve. Prandaj, mos spekuloni me data, sepse këtë askush s’mund ta thotë. Tani duhet të fokusoheni në misionin e radhës të eskpertëve dhe atë çfarë duhet të beni. Kjo nënkupton, shumë përkushtim dhe punë, për të realizuar këto kritere. Duhet të punojmë së bashku, qeveria duhet marrë përgjegjësinë për plotësimin e kritereve, dhe gjithçka varet nga raporti i Marsit”, deklaroi Tanja Fajon.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve insitucionalë, se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret, Fajon tha kjo mbetet të shihet pas raportit të muajit Mars.

“Unë do të doja, që kjo të ndodhë sa më shpejt, por është e pamundur që të thuhet se kur, në këtë moment, sepse ka shumë kritere që duhen plotësuar. Kemi informata se Kosova është duke përparuar, por duhet pritur raporti i Marsit. Më pas do të shohim më qartë, se ku qëndron Kosova. Ndaj, duhet të presim se sa do t’i duhej Kosovës, por duhet të përqendroheni në punë dhe jo vetëm të plotësoni kriteret, por edhe t’i zbatoni. Duhet të sigurohemi, që njerëzit nuk do të abuzojnë me të drejtën e lirisë së lëvizjes”, shtoi më tej Tanja Fajon.

Krahas kërkesës për plotësim të kritereve, Fajon kërkoi nga qytetarët e Kosovës të mos marrin rrugën për migrim, duke theksuar ky veprim është një ndër pengesat më të mëdha të liberalizimit.

Top Channel