Botërori 2014, Brazili përforcon sigurinë

21/02/2014 00:00

Brazili ka bërë të ditur përforcime në siguri, prej afro 70 mijë agjentë policie, për kompeticionin më madhor të futbollit në rang kombëtaresh, Botërorin 2014.

Në total, 170 mijë njerëz priten të dërgohen anembanë vendit për të garantuar sigurinë në 12 qytetet organizatore të ndeshjeve të kampionatit botëror.

Të mërkurën, presidentja Dilma Rousseff tha se forcat e armatosura do të ndërhyjnë gjithashtu, nëse do të jetë e nevojshme. Që prej Qershorit të vitit të kaluar, protestuesit kanë organizuar disa marshime, disa prej të cilave me episode dhune, duke rritur shqetësimet për sigurinë e këtij turneu.

Më herët, gjatë këtij muaji, një kameraman vdiq pasi u godit me fishekzjarre, që dyshohen të jenë hedhur nga protestuesit. Në Janar, organizatorët sugjeruan se personeli i sigurisë së turneut duhej të kapte të paktën shifrat e 100 mijë njerëzve.

Në një seminar mbi sigurinë, gjatë së enjtes, komiteti organizativ tha se shifrat duhet të rriten edhe më tej. “Jemi të shqetësuar, jo aq për protestat, të cilat janë një e drejtë demokratike, por për shpërthimin e mundshëm të dhunës. Jemi të vendosur të shmangim çdo rast dhune në ndonjë aktivitet protestues”, tha zyrtari i Ministrisë së Drejtësisë, Andrei Rodrigues, për reporterët.

Një personel prej 150 mijë vetësh do të krijohet vetëm nga shërbimet e armatosura dhe policia. Ndërkohë, rreth 20 mijë punonjës sigurie priten të trajnohen për t’u fokusuar kryesisht brenda 12 stadiumeve, ku do të zhvillohen ndeshjet e këtij turneu, thanë organizatorët.

Gjithashtu, të enjten, Brazili nisi edhe ushtrimet e para përgatitore detare, përpara Kupës së Botës. Rreth 30 mijë njerëz, të aktivizuar në mbi 60 anije dhe 15 aeroplanë, morën pjesë në këto operacione.

Drejtori për Sigurinë në trupën qeverisëse të futbollit botëror, FIFA, Ralf Mutschke, tha se ishte besimplotë se Brazili do të zhvillonte një turne më se të sigurt.

“Ekipet kanë besim të madh në nivelin e sigurisë që do të ofrohet”, tha Mutschke, në përfundim të seminarit për sigurinë, përpara zyrtarëve të 32 ekipeve që do të garojnë në Botërorin e Brazilit.

Brazili u përball me një valë të madhe protestash në Qershor, kur vendi organizoi gjithashtu Kupën e Konfederatave, sërish në futboll. Ajo që nisi si një protestë ndaj rritjes së çmimit të autobusëve dhe metrove, u kthye më pas në një lëvizje edhe më masive.

Më shumë se 1 milionë njerëz zbritën rrugëve kundër korrupsionit dhe shpenzimeve të ekzagjeruara në lidhje me përgatitjet për Kupën e Botës 2014 dhe Olimpiadën 2016, që do të zhvillohet në Rio de Janeiro.

Top Channel