BE vendos sanksione ndaj Kievit

21/02/2014 00:00

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do t’i vendosin sanksione
zyrtarëve ukrainas, që urdhëruan përdorimin e tepruar të forcës.

Përmes një deklarate, ata thanë se sanksionet përfshijnë masat urgjente si: ngrirje të aseteve dhe mosdhënie të vizave. “Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë represionin që po dëshmojnë”, shkruhej në dokumentin e tyre.

Shefja e politikës së jashtme, Catherine Ashton, tha se “përgjegjësia kryesore, për të nisur negociata mes palëve, bie mbi Presidentin Yanukovych”. Duke folur pas takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, në Bruksel, ajo tha se “është rënë dakord të pezullohen licencat e eksportit për pajisjet, që mund të shërbejnë për represion të brendshëm”.

Shtëpia e Bardhë i kërkoi Presidentit të Ukrainës të tërheqë menjëherë forcat e sigurisë dhe të zgjidhë krizën me mjete politike.

Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë shkruan: “Jemi të shqetësuar nga pamjet, ku shihen forcat e sigurisë, që qëllojnë me armë automatike popullin e tyre. I kërkojmë Presidentit Yanukovych, të tërheqë menjëherë forcat e sigurisë nga qendra e Kievit dhe të respektojë të drejtën paqësore për të protestuar. U bëjmë thirrje protestuesve të shprehen paqësisht. Gjithashtu, i bëjmë thirrje ushtrisë të mos përfshihet në konfliktin, që mund dhe duhet të zgjidhet me mjete politike. Shtetet e Bashkuara -shkruhet në deklaratë, – do të punojnë me aleatët europianë për t’i ndëshkuar përgjegjësit, për të ndihmuar popullin ukrainas të bashkohet dhe Ukrainën e pavarur të kthehet në rrugën që e çon drejt një të ardhmeje më të mirë”.

Departamenti amerikan i Shtetit vendosi t’u ndalojë dhënien e vizave 20 anëtarëve të Qeverisë së Ukrainës, pa bërë publik emrat e tyre.

Presidenti rus,Vladimir Putin, ka dërguar një ndërmjetës në Kiev. Dmitry Peskov, zëdhënësi i shefit të Kremlinit, tha se “me këtë detyrë është ngarkuar ish-Ombucmani për të drejtat e njeriut dhe ish-ambasadori në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Lukin”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nga Iraku ku ndodhet për një vizitë zyrtare, fajësoi Perëndimin për gjendjen në Ukrainë.

“Opozita nuk mund, ose nuk do ta distancojë veten nga grupet ekstremiste. Të gjithë partnerët tanë perëndimorë, cilido në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, ia vënë fajin qeverisë së Ukrainës, por ata nuk e klasifikojnë siç duhet, siç janë veprimet e ekstremistëve. Jemi shumë të shqetësuar, sepse standardet e dyfishta këtu janë të dukshme”.

Më herët, kryeministri rus, Dmitry Medvedev, tha se “Rusia mund të ketë marrëdhënie të plota dypalëshe me Ukrainën, vetëm kur lidershipi i saj të jetë në gjendje të mirë. Medvedev u kërkoi autoriteteve të Ukrainës të jenë legjitimë dhe efektivë.

Organizata për të Drejtat e Njeriut, “Amnesty International”, përmes një raporti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë dërgimin e municioneve dhe armëve, që përbëjnë rrezik serioz, nëse keqpërdoren nga forcat e sigurisë, deri kur mekanizmat efektivë të jenë në fuqi për të garantuar, që ato të mos përdoren për të kryer apo për të lehtësuar shkeljen e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Analistët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë paralajmërojnë se presioni i jashtëm, zor se do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në Ukrainë, veçanërisht nëse ushtria ndërhyn për të shpërndarë protestuesit.

Top Channel