Barça-Neymar, hetime edhe për evazion fiskal

20/02/2014 00:00

Një hetim gjyqësor mbi parregullsitë e akuzuara financiare të klubit të futbollit Barcelona, në lidhje me blerjen e superyllit brazilian Neymar, mund të zgjerohet më tej duke përfshirë hetimet për evazion fiskal të klubit, bëri të ditur një prokuror spanjoll gjatë së mërkurës.

Hetuesi Jose Perals i kërkoi formalisht jurisë gjyqësore, që po heton aktualisht ish-presidentin e Barcelonës mbi këtë rast, të zgjerojë hetimet paraprake, mësohet nga një kopje e kërkesës së tij të siguruar nga CNN.

Prokurori akuzon se klubi ka shmangur pagimin e 9 milionë eurove taksa, për nënshkrimin dhe transferimin e Neymar, sa i përket kontratave të firmosura në 2011 dhe 2013, përmes një serie manovrash financiare.

Neymar u bashkua me Barcelonën në Qershor 2013, teksa babai i tij, njëkohësisht edhe agjent, kishte firmosur një parakontratë me gjigantët spanjollë në fund të vitit 2011.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të klubit, Barcelona bën të ditur se “marrëveshjet në lidhje me këtë operacion transferimi dhe i gjithë informacioni i mundshëm në dispozicion, kanë qenë gjithnjë në përputhshmëri me legjislacionin përkatës në fuqi”.

Barça njoftoi se avokatët e saj do të paraqiten në gjykatë “brenda pak ditësh, në mënyrë që të mbrojnë interesat dhe të drejtat e klubit”.

“Shprehim vullnetin tonë të plotë për të bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë mbi këtë çështje, siç kemi bërë që kur ky problem u ngrit publikisht”, thuhej në deklaratë.

Por, ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar sapo gjykata vendosi të hetojë një aktpadi ndaj tij, për parregullsi në transferimin e Neymar, ka mohuar çdo gabim të mundshëm.

Gjykatësi Pablo Ruz nisi hetimet muajin e kaluar, pas një ankese ligjore nga një prej anëtarëve të këtij klubi, aksionet e të cilit zotërohen nga tifozët.

Kërkesa për të zgjeruar hetimet erdhi të mërkurën, pas një shkrese prej 8 faqesh të një hetuesi, i cili akuzon se “është vënë në dijeni të një serie transaksionesh ekonomike nga klubi, në favor të disa kompanive, në lidhje me nënshkrimin e Neymar da Silva Santos Jr., bazuar mbi kontratat e simuluara”.

Do të duhen disa ditë për Ruz, që të marrë në konsideratë kërkesën e prokurorit, të dorëzuar në Gjykatën Kombëtare të Spanjës, në Madrid, bëri të ditur zëdhënësi i gjykatës.

Barcelona ka konfirmuar për CNN se një prej nënshkruesve të kontratës me brazilianin është edhe ish-zëvendëspresidenti i klubit, tashmë në rolin e presidentit, Josep Maria Bartomeu.

Top Channel