Senatori francez akuzohet për blerje votash

19/02/2014 00:00

Miliarderi dhe senatori francez, Serge Dassault është marrë në pyetje nga policia franceze për akuzat e ngritura kundër tij për blerje votash.

Dassault dyshohet për blerje votash gjatë kohës kur drejtonte qytezën Corbeil-Essonnes nga viti 1995 deri në vitin 2009.

Imuniteti parlamentar e pengonte një hetim të tillë, por me kërkesën e vetë 88-vjeçarit Dassault imuniteti u hoq nga parlamenti francez më 12 shkurt.

Ai është senator i partisë së qendrës së djathtë. Ai kërkoi heqjen e imunitetit në mënyrë që të mbrojë veten ndaj akuzave dhe të vërtetojë se gjithë aktiviteti i tij si kryebashkiak ka qenë korrekt dhe brenda ligjeve, raporton gazeta “Le Monde”.

Me një pasuri prej 13 miliard eurosh, ai rënditet i katërti në listën e francezëve më të pasur. Ai njihet për lidhjet e tij me presidentët Sarkozy dhe Jacques Chirac.

Si biznesmen Dassault zotëron “Dassault Aviation”, një kompani prodhimi avionësh luftarakë dhe transporti, përfshirë këtu edhe bombarduesit “Rafale”.

Top Channel