Nigeri, “Boko Harram” sulmon ushtrinë

19/02/2014 16:10

Një sulm i përmasave të mëdha ka nisur në krahinën veriore të Bamës në Nigeri, me militantët islamikë që po mësyjnë pozicionet e ushtrisë së rregullt dhe dhjetëra apo qindra besohet të kenë mbetur të vdekur, midis tyre shumë civilë.

Ndërsa informacionet vazhdojnë të vijnë, mediat ndërkombëtare po përcjellin me shqetësim të thellë atë që po ndodh në Nigeri, vetëm një ditë pasi militantët e “Boko Harramit”, grupit të lidhur me Al-Kaedën, shfarrosën dhjetëra burra të një fshati të krishterë.

Sulmi i militantëve konsiderohet si një kundërpërgjigje e qartë e fjalimit të presidentit të Nigerisë, i cili ditën e martë tha se “pas disa vitesh konflikti, shteti është pranë fitimit të luftës ndaj “Boko Harram””.

Mijëra persona besohet të kenë humbur jetët e tyre si rrjedhojë e aktivitetit të kësaj organizate terroriste që prej fillimit të kryengritjes së vitit 2009.

Guvernatori i Bamës, Kashim Shettima, bëri një apel publik më parë gjatë ditës për përforcime, duke theksuar se militantët janë më të armatosur dhe më të motivuar se sa më parë.

Qyteti i Bamës, pranë kufirit me Çadin dhe Nigerin, është sulmuar disa herë në të shkuarën prej militantëve.

Top Channel